PD akuzon qeverinë: Ka braktisur dëshmitarët kyç në çështjet e krimeve të rënda

19/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka braktisur dëshmitarët kyç në çështje të krimeve të rënda. Flamur Noka, deputet i PD-së, tha se qeveria po përkrah bandat, duke përmendur disa raste sipas tij, të braktisjes së dëshmitarëve.

Ai tha se Arben Kicja, dëshmitar në çështjen e Aldo Bares, u braktis nga qeveria dhe po kështu dhe dëshmitari në çështjen e komisarit Dritan Lamaj, të cilit iu vu tritol.

“Rasti i dëshmitarit Arben Kicja është tronditës. Ai është një nga dëshmitarët kyç, që ka ndihmuar në procedimin dhe dënimin e bandës famëkeqe të Lushnjes, të shefit të kësaj bande Aldo Bare, të akuzuar për krime çnjerëzore, por sot, ky bashkëpunëtor i Drejtësisë është flakur në rrugë. Pasi është braktisur nga strukturat e qeverisë, Kicja është detyruar tashmë të dalë e të flasë në publik, të kërkojë ndihmë për sigurinë e familjes së tij.Lënia në mes të rrugëve e dëshmitarit të drejtësisë nga qeveria, është pozicionim i hapur i saj në krah të krimit.Lënia në mes të rrugëve është ti dërgosh dëshmitarët në duart e xhelatëve të krimit. Sot, qeveria e Edi Ramës është e diskretituar dhe e damkosur si qeveri që tradhton dëshmitarët e krimeve të rënda”, tha Noka.

Sapo PD të vijë në pushtet, tha ai, do shqyrtojë me themel këto raste, duke ofruar garanci dhe siguri për çdo qytetar që do të bashkëpunojë me drejtësinë.

Top Channel