Stamboll, shpërthim dhe të shtëna në pallatin Dolmabahçe

19/08/2015 00:00

Disa të shtëna me armë zjarri dhe një shpërthim raportohen të kenë ndodhur vetëm pak minuta më parë, gjatë kësaj të mërkure, në hyrje të pallatit Dolmabahçe të Stambollit, një ndërtesë e periudhës së Perandorisë Osmane, tepër e frekuentuar nga turistët.

Në këtë pallat gjendet edhe zyra e kryeministrit të Turqisë, Davutoglu, edhe pse Kryeministria e ka selinë në Ankara. Lajmi është bërë i ditur nga disa media, përfshi agjencinë e lajmeve Dogan dhe gazetën Hurriyet.

Ambulancat janë dërguar me urgjencë në zonën në fjalë, ndërkohë që janë bllokuar të gjitha rrugët që të shpien në vendin turistik dhe policia ka nisur menjëherë aksionin për të neutralizuar autorin apo autorët e ngjarjes. Policia deklaron se bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri, pavarësisht raportimeve të dëshmitarëve për një shpërthim, por deri tani nuk ka viktima, veç një polici të plagosur. Dy persona raportohen të jenë arrestuar në afërsi të hyrjes së Konsullatës së Gjermanisë në Stamboll, bën të ditur Hurriyet.

Lajmi vjen në të njëjtën kohë, kur Presidenti Erdogan ishte duke dhënë një fjalim për disa zyrtarë lokalë të transmetuar edhe në mediat televizive, i cili paralajmëronte se Turqia po futej “me shpejtësi” drejt zgjedhjeve të reja, për shkak se nuk është mundur të krijohet qeveria e re.

Ngërçi i pazgjidhur nga partitë politike, me në krye partinë AK të themeluar prej tij, por edhe partive më të vogla parlamentare që nuk kanë pranuar të formojnë koalicion me të, pritet të zgjidhet me “dëshirën e popullit”, ka thënë Erdogan.

Top Channel