MPB: Arben Kicja shkeli rregullat e statusit të dëshmitarit të mbrojtur

19/08/2015 00:00

Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike për dëshmitarët e mbrojtur të çështjeve të krimeve të rënda.

Ministria ka sqaruar se në rastin e Arben Kicja, ai e ka humbur statusin e dëshmitarit, pasi shkeli në mënyrë të vetëdijshme rregullat e përcaktuara.

“MPB sqaron se dëshmitari Arben Kicja, i cili dëshmoi për çështjen e njohur si ‘Banda e Lushnjës’ humbi statusin, pasi shkeli marrëveshjen me shtetin shqiptar duke thyer, në mënyrë të vetëdijshme për më shumë se 1 herë, rregullat e përcaktuara. Në zbatim të ligjit, ky dëshmitar i mbrojtur nuk mund të gëzojë më statusin e të mbrojturit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Ministria thekson se heqja e statusit të një dëshmitari të mbrojtur nga drejtësia nuk bëhet as nga qeveria dhe as nga Ministria e Brendshme, por nga Komisioni shtetëror përkatës, ku janë anëtarë përfaqësues të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë së Shtetit dhe MPB-së.

Ndërsa bën të ditur se dëshmitari i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj është nën mbrojtje të posaçme dhe gëzon statusin që përcakton ligji.

Top Channel