Edi Rama: Projekti i etërve themelues të BE-së, i paplotësuar

19/08/2015 00:00

Kur flitet për Europën, Edi Rames i pelqen të jetë fanatik Europës së bashkuar sipas projektit të etërve që e themeluan atë, një Europë e paqtë, e bashkuar dhe e begatë.

Por, kryeministri i Shqipërisë duket se nuk ka asnjë iluzion se ky projekt ende nuk është përmbushur.

Në një intervistë për të përditshmen e majtë italiane “l’Unita”, Edi Rama nuk është kursyer në ashpërsine e kritikave për mënyrën sesi Bashkimi Europian po menaxhon krizen e emigrantëve.

Shkak janë bërë thirrjet e Lega Nord në Itali për përmbytjen e anijeve që vijnë me emigrantë nga vendet në konflikt. Dhe Edi Rama ka gjetur rastin t’u kujtojë izolacionistëve ekstremistë, apo populistë siç i quan ai, se Italia vitin e kaluar fitoi rreth 4 miliardë euro vetëm nga kontributi i emigrantëve të integruar shqiptarë.

Kur pyetet se çështja e rishpërndarjes së kuotave për azilkerkuesit duhet te zgjidhet nga secili shtet më vete apo si një problem i përbashkët, Edi Rama e gjen “frikësuese faktin që flitet për këtë dejá vu dramatike, pa asnjë shenjë përgjigjeje bindëse nga ana e Bashkimit Europian”.

Duke e çuar më tej këtë ide, kryeministri i Shqipërisë thotë se, “ky migrim masiv ka nxjerrë në sipërfaqe atë që ndërkohë ekzistonte, boshllëkun e Europës së sotme”, sepse sipas tij mungon strategjia për të përballuar këtë dallgë të njerëzve të dëshpëruar, që ikin nga konfliktet e luftës. 

“Eshtë budallallëk me tepri të mos kuptosh se kjo përplasje ose përballohet së bashku, ose rrezikon të shpartallojë me themeli mbarë Europën që njohim sot”- thotë Edi Rama në intervistën e tij për të përditshmen italiane.

Kryeministri i Shqipërisë bën një dallim të fortë mes valës migratore nga Afrika dhe asaj nga Ballkani dhe Europa Lindore. Për këta të fundit, ku ka dhe shumë shqiptarë, Edi Rama thotë se largohen nga vendi sepse “shikojnë një kontinent që shkon përpara me shpejtësi të ndryshme, i cili faktikisht, po dështon të jetë një motor shprese për ata që s’ndjehen pjesë”.

Megjithatë, kryeministri Rama këmbëngul se shqiptarët vazhdojne ta duan integrimin në Bashkimin Europian dhe se është i bindur se, “te dalësh sot nga Europa e bashkuar do të thotë të dalësh nga historia dhe nga paqja”.

“Ajo çka e lëkund sot projektin nuk është ideja e etërve themelues të Bashkimit Europian, por mungesa e strategjisë dhe e kurajos në drejtim. Projekti është i papërmbushur, po kjo nuk e bën më pak të vlefshëm”, shprehet Edi Rama për të përditshmen italiane, duke shprehur bindjen se përgjigja më e mirë për çdo mosbesues është se duhet më shumë Europë, jo më pak Europë.

Top Channel