Veliaj: Shpenzimet e prishjes së ndërtimeve pa leje do t’i paguajnë vetë shkelësit

19/08/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paralajmëroi një paketë legjislative që do t’u faturojë abuzuesve të gjitha shpenzimet që lindin nga prishja e një ndërtimi pa leje për lirimin e hapësirave publike.

“Do ndërmarrim një nismë për një paketë legjislative që i jep bashkisë autoritetin që jo vetëm të sjellë ligj dhe rend aty ku ndodhin shkeljet, vandalizimi, ndotjet, por edhe një sistem penalitetesh për shkelësit. Është e pamundur që bashkia dhe njerëzit e ndershëm të paguajnë faturën për njerëzit që zaptojnë dhe vandalizojnë qytetin tonë. Është e pafalshme që njerërzit e ndershëm që paguajnë taksa të paguajnë punën për të prishur ndërtimet pa leje dhe për të liruar hapësirat publike. Do të propozojmë një paketë, ku jo vetëm do të gjobiten ata që vandalizojnë, ndotin dhe hedhin plehra, ata që zaptojnë hapësirat publike, por do të marrin edhe faturat për të sjellë në origjinalitet atë hapësirë ku kishte një zaptim”, tha Veliaj.

Deklarata e kreut të Bashkisë më të madhe në vend u bë nga Kombinati, ku u ndal pasditen e së mërkurës për të prezantuar administratorin e kësaj njësie bashkiake, Adriatik Merko.

Veliaj tha se aksioni i nisur në njësinë numër pesë për lirimin e të gjitha hapësirave publike do të shtrihet gradualisht në të gjithë territorin e Tiranës.

“Shkatërrimi i Tiranës nuk ndodhi në një ditë. Kjo do të thotë që edhe ndërtimi i Tiranës nuk do të ndodhë në një ditë. Na duhet koha e nevojshme. Kemi nisur me disa operacione në njësinë 5 që do të shtrihen në vijim në të gjitha njësitë, përfshirë këtu edhe njësinë 6. Është një operacion i detajuar kundrejt të gjithë shkelësve, të gjithë atyre që kanë zaptuar një territor që u përket fëmijëve, të moshuarve, që u përket banorëve të pallateve”, u shpreh Veliaj.

Top Channel