Protestat kundër “Ferronikelit”, reagon MMPH. Morina: Nuk ka arsye për ta mbyllur fabrikën

19/08/2015 00:00

Menjëherë pas përfundimit të protestës së përfaqësuesve të qytetarëve të Drenasit, lidhur me ndotjen e ajrit nga fabrika e përpunimit të metaleve “Ferronikeli”, ka reaguar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, në konferencë për media tha se nuk ka fakte të mjaftueshme për ta mbyllur “Feronikelin”.

“Në bazë të të dhënave që na vijnë çdo vit nuk kemi asnjë tejkalim të shkarkimeve për vitin 2014. Te cilësia e ajrit ka tejkalime deri në 60 mikrogram, limiti është 50, do të thotë nuk është diçka që Ministria e Mjedisit duhet të shkojë e ta mbyllë, mirëpo nuk është që nuk kemi marrë masa”, u shpreh Morina.

Ai bëri të ditur që Ministria e Mjedisit tashmë ka paditur fabrikën në fjalë për këtë tejkalim.

Morina tha se do të angazhohen edhe më shumë në matjen e ndotjes së ajrit dhe brenda pak muajsh do të dalin me rezultate.

Ai bëri të ditur që do të shtohen monitorimet dhe në rast të tejkalimeve të normave, Ministria e Mjedisit do të marrë sërish masa ndaj fabrikës dhe nëse është nevoja edhe do të mbyllet.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka demantuar deklaratat e protestuesve lidhur me rritjen e numrit të të prekurve me kancer. Ai tha se kemi të bëjmë me rritje të raportimit të rasteve me kancer, duke i cilësuar si shpifje deklarimet se po shkaktohet “vrasje masive” në komunën e Drenasit.

Top Channel