Pogradec, aksion i bashkisë për lirimin e hapësirave publike

19/08/2015 00:00

Pogradeci ka nisur çlirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget e vendosura në çdo cep të vijës liqenore apo shëtitores “1 Maji”, nga bizneset që operojnë atje.

Një aksion i menjëhershëm është ndërmarrë në një gjatësi prej 4 km, ku dhjetra biznese private, kryesisht lokale, janë shtrirë duke shfrytëzuar territorin publik, zonat e gjelbëruara apo ato buzë plazhit pa leje.

Ka qenë kryebashkiaku, Eduard Kapri i cili me marrjen zyrtarisht të mandatit, ka verifikuar lejet përkatëse të subjekteve dhe më tej ka marrë masa urgjente për pastrimin e lulishteve dhe hapësirave të tjera.

Sipas tij, aksioni është paraprirë nga paralajmërimi ndaj bizneseve që t’u përmbahen lejeve respektive, ndërsa aksioni do të shtrihet më tej edhe tek sipërfaqet e tjera të qytetit.

Subjektet private janë paralajmruar dy ditë më parë për heqjen me dëshirë të objekteve, ndërsa këtë të mërkurë aksioni është mbështetur edhe nga forca të shumta të policisë.

Shumë ambiente të tjera në qytet, edhe sheshe qendrore janë zaptuar nga ndërtime apo pista të ndryshme për të cilat është kërkuar edhe më herët largimi dhe lirimi i hapësirave.

Nëse aksioni do hyjë edhe në brendësi të qytetit kjo pritet për t’u parë në javët në vazhdim.

Top Channel