Kriza e emigrantëve, Sllovakia do të pranojë vetëm të krishterët

20/08/2015 00:00

Në bazë të skemës së BE-së për ndarjen e drejtë të barrës së trajtimit humanitar dhe ligjor të emigrantëve, Sllovakia duhet të marrë rreth 200 emigrantë sirianë nga kampet në Turqi, Itali apo Greqi, por autoritetet e këtij shteti kanë vendosur kritere.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sllovakisë, Ivan Metik tha se do të pranohen vetëm të krishterët, pasi sipas tij, “myslimanët nuk do të ndjehen si në shtëpi”.

“Ne duam vërtetë të ndihmojmë Europën në krizën e emigrantëve, por…ne jemi vend tranzit, pasi emigrantët nuk duan të qëndrojnë në Sllovaki. Mund të marrin 800 myslimanë, por ne nuk kemi asnjë xhami në Sllovaki”, tha Metik.

Agjencia e refugjatëve e OKB-së (UNHCR) u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian të pranojnë një numër të caktuar refugjatësh sirianë për të përballuar emigracionin klandestin.

Megjithatë, Metik tha se ky veprim nuk ishte diskriminues, pasi ka për qëllim mbajtjen e bashkuar të komunitetit.

Numri i emigrantëve në kufijtë e BE-së është rritur ndjeshëm në muajt e fundit, duke arritur një rekord prej 107.500 në muajin korrik. Shumica prej tyre janë sirianë, afganë, dhe nga Afrika nën-Sahariane, të cilët kanë lënë vendin e tyre për shkak të paqëndrueshmërisë apo varfërisë.

Muajin e kaluar, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të merrnin 32 mijë azilkërkues që kanë ardhur në Itali dhe Greqi, përgjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa objektivi ishte 40 mijë.

Top Channel