Bomba në Bangkok nuk është vepër e grupeve të huaja terroriste

20/08/2015 00:00

Bomba që shpërtheu të hënën në një vend të shenjtë në Bangkok të Tajlandës nuk ishte vepër e ndonjë grupi të huaj terrorist. Sipas qeverisë tajlandeze, ky është përfundimi paraprak në të cilin kanë dalë hetuesit.

Por nuk ka asnjë grup në Tajlandë që të ketë precedentë terrorizmi dhe kjo e bën edhe më të vështirë punën e hetuesve.

Policia thotë se të paktën 10 persona janë të dyshuar për përfshirje në këtë atentat që shkaktoi vdekjen e 20 personave.

Deri tani, ka një të dyshuar për bombën e vendosur një ditë më parë pranë një tempulli hindu në qendër të Bangkokut. Personi në fjalë, që duket si i huaj, mbërrin në vendngjarje pak minuta përpara shpërthimit me një çante shpine, dhe kur largohet prej andej, çantën nuk e ka më me vete.

Bomba shpërtheu rreth ores 19:00, me orën lokale, një kohë kjo kur si tempulli vetë, ashtu edhe kryqëzimi i “Ratchaprasong” ku ai ndodhet, ishin të mbushur me njerëz.

Arsyet e këtij sulmi nuk dihen ende, por ndërsa hetimet vazhdojnë, autoritetet nuk përjashtojnë dhe mundësinë e përfshirjes se një lëvizjeje anti-qeveritare, që bazen e ka në verilindje të vendit.

Top Channel