Policia: Në male janë punëtorët, pronarët ndodhen në qytet

20/08/2015 00:00

Kultivuesit e vërtetë të kanabisit në zonën e Dukagjinit jetojnë në zonat urbane, ndërsa punëtorët që prashisin parcelat me kanabis janë banorë të zonës. Drejtori i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Policinë e Shtetit u dha mediave këtë deklaratë pas përfundimit të aksionit policor të koduar “Brashta” në Dukagjin.

Skënder Kalemi tha se kanë nisur hetimet për të ndaluar të gjithë trafikantët e kanabisit: “Zona e Dukagjinit është specifike për arsye se banorët e kësaj zone jetojnë në zona urbane dhe këtu jetojnë shumë pak njerëz. Kultivimi bëhet në tokat e askujt dhe me informacionet që disponojmë sot, kultivuesit e vërtetë janë banorët e zonave urbane. Këtu paguajnë njerëz për t’u përkujdesur për kanabisin”.

Duke renditur rezultatet e operacionit, Kalemi u shpreh se policia ka gjetur edhe parcela të tjera të cilat nuk ishin vërejtur më parë gjatë monitorimit nga ajri, duke asgjësuar më shumë se 30 000 rrënjë kanabis sativa.

“Nga lista e parcelave të evidentuara në bashkëpunim me forcat italiane, kemi gjetur 193 parcela”, shtoi Kalemi.

Gjatë dy ditëve operacion në komunat Shalë dhe Shoshë janë shkatërruar 224 parcela me kanabis. Në operacion janë angazhuar më shumë se 450 punonjës policie.

Top Channel