Ministri serb i Mbrojtjes: Ushtria, gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi për Kosovën

20/08/2015 00:00

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Bratislav Gasiç ka deklaruar se Ushtria Serbe është gati që t’i përgjigjet çdo kërcënimi që mund t’i vijë shtetit të tij, përfshirë edhe për Kosovën, ndërsa ka përmendur “hyrjen e pakontrolluar të emigrantëve” si rrezikun më të madh.

“Ushtria jonë është gati që t’i përgjigjet çdo sfide të sigurisë, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë me Kosovën dhe Metohinë, terrorizmin apo fluksin masiv të refugjatëve”, u shpreh Gasiç për të përditshmen serbe “Vecernje Novosti”.

Kur është pyetur për emigrantët, ai ka thënë se kanë arritur të vëjnë nën kontroll valen e ardhjeve, duke deklaruar se kanë arritur të kontrollojnë çdo bagazh të tyre.

Po ashtu, Gasiç është deklaruar edhe pas reagimit të BE-së, se një stërvitje e përbashkët mes ushtrisë së tij dhe asaj ruse, do të sillte pasoja të padëshirueshme.

“Ne nuk duam që kjo të ndodhë. Ne pritet të kemi 127 aktivitete të përbashkëta me SHBA-të këtë vit. Por, me Rusinë kemi bërë hapa përpara sa i përket marrëdhënieve. Ne duam të shikojmë interesin tonë, por ushtria ka nevojë për shkëmbim përvojash. Kjo nuk ndryshon asgjë në faktin se ne jemi një forcë ushtarake neutrale”, u shpreh ai.

Top Channel