Lufta kundër informalitetit, Rama: Nuk është luftë ndaj biznesit, por për konkurrencën e lirë

20/08/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim drejtues të tatimeve dhe doganave për të vendosur shtyllat mbi të cilat do të ngrihet operacioni kundër informalitetit, që pritet të nisë në të gjithë vendin në muajin shtator.

“Kjo nuk është një betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin nga ata që ushtrojnë aktivitet tregtar në shkelje të ligjit duke vjedhur blerësit, duke penguar me konkurrencë të pandershme të tjerët në fushën e sipërmarrjes dhe duke grabitur paratë që shtetit i duhen për të ulur taksat, rritur rrogat, dhe investuar në shkolla, ujësjellësa, spitale e me radhë”, shpjegoi Rama.

1/3 e bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar nuk janë të regjistruar ose nuk përdorin kasë fiskale, ndërsa mbi 50 % nuk japin thuajse asnjë kupon tatimor. Kryeministri Rama thotë se këto janë ditët e fundit të apelit për t’u regjistruar apo pajisur me kasën fiskale, ndërsa deklaron se për çdo rajon do të ketë një plan të detajuar veprimi me fokus biznesin, nga më të mëdhenjtë tek më të vegjlit.

“Një nga masat që do të marrim është një thirrje publike dhe detyrimi për çdo biznes të vendosë një tabelë ku konsumatorit t’i thuhet se ka të drejtë të mos paguajë nëse nuk merr kuponin”, tha Rama.

Por, veç apelit ndaj biznesit, kryeministri dha një mesazh të qartë edhe për punonjësit e tatimeve dhe doganave: “Ju uroj suksese të gjithëve për të mirën e vendit dhe të mirën tuaj sepse si në operacionin e energjisë, duke konsideruar që problemi nuk është vetëm jashtë nesh, por edhe brenda nesh; ashtu siç nuk kemi hezituar të ndëshkojmë drejtues dhe punonjës të sistemit të shpërndarjes të përfshirë në hajdutësi dhe korrupsion, nuk do të hezitojmë të ndëshkojmë askënd dhe brenda sistemit të tatimeve dhe doganave”.

Në kuadrin e masave të reja ligjore që do t’i propozohen Kuvendit deri në fund të muajit shtator, kreu i qeverisë thotë se do të jetë edhe propozimi për të rënduar ndjeshëm dënimin për fshehjen nga ana e punonjësve tatimorë të një aktiviteti të paligjshëm tregtar përkundër rryshfetit.

Top Channel