OSHEE: Janë riparuar të gjitha defektet, probleme në nënstacionin Tuç në Fushë-Arrëz

20/08/2015 00:00

Shirat e mbrëmjes së të mërkurës sollën një sërë defektesh në disa zona të vendit, për të cilat OSHEE njofton se janë rikthyer në punë nënstacionet e dëmtuara.

Sipas informacionit zyrtar, avari kanë pasur linjat 30 kV Shkozet- Shijak, Shijak – Fllakë të cilat furnizojnë me energji n/stacionet Shijak, Manzë dhe Vorë, n/stacioni i Valiasit, Xhuherinë dhe Tuc. Gjithashtu u dëmtua dhe transformatori në n/stacionin Mëzez.

Grupet e punës së OSHEE kanë riparuar mëngjesin e sotëm të gjitha defektet, duke rikthyer energjinë në të gjitha këto nënstacione.

Grupet e avarisë punuan dhe në nënstacionin Valias për riparimin e defektit dhe rikthimin e energjisë në disa zona periferike të Tiranës si: Valiasi, Laknasi, Berxullë, Domje, Kamëz (zona Verilindore dhe Juglindore e qytetit), Ura e Tapizës, Pompat e Ujit Deka.

Aktualisht, grupet e punës po punojnë në nënstacionin Tuç për riparimin e avarisë me qëllim rikthimin e energjisë në këtë nënstacion që furnizon me energji disa zona në Fushë-Arrëz: Miniera Tuç dhe 4 fshatra në ish komunën Qafë Mali.

Gjatë ditës së sotme është zëvendësuar transformatori në kabinën e Xibrakës dhe po punohet për zëvendësimin e 2 transformatorëve në kabinat Mollas dhe Bujaras.

Top Channel