Britani-Francë, marrëveshje për të frenuar fluksin e emigrantëve

20/08/2015 00:00

Londra dhe Parisi kanë rënë dakort të rrisin masat e sigurisë për të frenuar emigrantët pa dokumenta, që synojnë të hyjnë në Britani përmes tunelit nëndetar që lidh të dyja vendet.

Britania dhe Franca do të shtojnë burimet policore përmes krijimit të një qendre të përbashkët komande dhe kontrolli, që do të ngrihet në qytetin verior port të Francës në Kale (Calaise) ku janë grumbulluar disa mijëra emigrantë që kërkojnë të hyjnë me çdo kusht në Britani.

Kjo qendër policore do të tentojë të shkatërrojë rrjetet kriminale të krimit të organizuar që trafikojnë emigrantë në veri të Francës dhe prej andej në ishull.

Ndër masat e rëna dakort në marrëveshjen mes të dyja vendeve të nënshkruara nga ministrat e Brendshëm të dy vendeve në një ceremoni në qytetin Kale të Francës, janë edhe rritja e numrit të forcave policore franceze, ngritja e gardheve pengues të financuara nga Britania, vendosja e një sistemi më të madh vëzhgimi me kamera me qark të shkurtër si dhe pajisje të tjera të sigurisë, për të mbrojtur hyrjen në tunelin nëndetar.

Kohët e fundit, policia kufitare ka shkatërruar rreth 20 grupe kriminale që organizojnë trafikimin e emigrantëve, mes tyre edhe gjashtë grupe trafikantësh shqiptare, që kanë dërguar disa qindra emigrantë në Britani vetëm brenda disa muajsh.

Mbetet të shihet nëse masat e reja të sigurisë do të mund të eliminojnë krizën e emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në ishull, ndërkohë që Franca kërkon që të ngrihen qendra për përpunimin e kërkesave të emigrantëve në vendet hyrëse në kufijtë e Bashkimit Europian.

Top Channel