F1, Alonso: Duhej ta kisha lënë më parë Ferrarin

20/08/2015 00:00

Fernando Alonso nuk është penduar aspak që la Ferrarin për të kaluar te McLaren. Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan CNN, piloti spanjoll deklaroi madje se u vonua në marrjen e këtij vendimi.

“Duhet ta kisha lënë Ferrarin 2 vjet më parë. Makina nuk ishte kompetitive dhe situata po bëhej gjithnjë e më e trishtuar. Pas pesë vitesh me këtë skuadër, mendova se kishte ardhur koha për të lënë gjithçka”, tha spanjolli.

Alonso nuk po përjeton momentin më të mirë te McLaren në këtë sezon dhe deri tani ka grumbulluar vetëm 11 pikë. Megjithatë, kjo duket se nuk e shqetëson shumë 2 herë kampionin e botës në Formula 1.

“Nuk doja të dorëzohesha dhe gjithnjë kam dashur të besoja se ëndrra do të bëhej realitet, por e kuptova se me dominimin e Mercedesit ishte e vështirë të fitoje me Ferrarin brenda një harku kohor të shkurtër. Kështu, të qënit pjesë e një projekti të ri ishte alternativa më e mirë. Ajo e McLaren mbarte një rrezik, pasi bëhet fjalë për një makinë krejtësisht të re, por ne jemi një skuadër dhe humbasim apo fitojmë të gjithë së bashku”, shtoi Alonso.

Top Channel