Reali i mbipopulluar, priten largime

20/08/2015 00:00

Reali i Madridit është një skuadër e mbipopulliar dhe ka vetëm 10 ditë kohë për të bërë disa largime në merkaton e transferimeve. Janë 3 futbollistë që pritet të largohen nga klubi “merengues” dhe bëhet fjalë për mesfushorët Asensio, Illarramendi dhe Lucas Silva, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që një gjë të tillë ta bëjë edhe portieri Keylor Navas.

Për Marcos Asensio është fakt i kryer transferimi i tij te Espanyol, me synimin që ai të fitojë eksperiencën e duhur në kategorinë e parë. Drejtuesit e Realit kanë besim te aftësitë e lojtarit, por e dinë shumë mirë që ai duhet të luajë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur.

Reali duhet të zgjidhë edhe problemin e mesfushës. Ardhja e Kovacic ka shtuar problemet për Illarramendin dhe Lucas Silvën, që duket se nuk do të gjejnë hapësirat e duhura në skuadër dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit spanjoll kanë nisur punën për të gjetur destinacione të tjera për këta dy futbollistë. për Illarramendin kanë shfaqur interes Liverpool, Real Sociedad dhe Juventus, ndërkohë që Lucas Silva duhet të bëjë vetë zgjedhjen e tij dhe për këtë ka afat deri në 31 gusht.

Përsa i përket Navas, fati i portierit kostarikan varet nga David de Gea. Nëse portieri spanjoll do të largohet nga Manchester United për t’u kthyer në Madrid, atëherë për Navas nuk mbetet rrugë tjetër veçse të kërkojë një destinacion të ri.

Top Channel