Dëshmitari i Bares denoncon heqjen e mbrojtjes në Prokurori

20/08/2015 00:00

Pas përjashtimit nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, Arben Kicja u paraqit i shoqëruar nga bashkëshortja, në organin qëndor të akuzës ku edhe këmbëngul për rimarrjen e këtij statusi.

Çifti Kicja, që së bashku më fëmijët janë mbajtur nën mbrojtje shtetërore pas dëshmisë kundër Aldo Bares, ka takuar kreun e hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Kosta Beluri.

Ata pretendojnë se në mënyrë të beftë nga Italia, ku janë dërguar nga shteti shqiptar për të rinisur jetën me identitete të reja, befas kanë humbur kontaktet me autoritetet shqiptare.

“Marrëveshja është bërë. Na kanë përzënë nga shtëpia dje, se nuk është paguar qiraja dhe pagesa mujore nuk na jepej”, thotë Arben Kicja.

Por përse komisioni shtetëror përkates e nxorri familjen Kicja nga programi i dëshmitarëve të mbrojtur nga drejtësia? Megjithëse zyrtarisht Ministria e Brendshme deklaroi një ditë më parë se çifti ka shkelur marrëveshjen, jo zyrtarisht hidhet dritë mbi këtë kontratë mes shtetit dhe dëshmitarit të drejtësisë.
 
Sipas burimeve jo zyrtare, çifti Kicja sapo ka marrë statusin e dëshmitareve të mbrojtur ka firmosur marrëveshjen pas vitit 2010 ku edhe bien dakord që mos të ktheheshin në Shqipëri dhe të mos kontaktonin asnjë të njohur, për të mos zbuluar identitetin dhe vendndodhejn. Në kundërshtim me kushtet, ku pala e komisionit ka marrë përsipër detyrimet përkatese siç janë mbrojtja e jetës, sigurimi i një jete të re e të tjera, çifti Kicja dy vitet e fundit rezulton të ketë ardhur në Shqipëri me pushime verore, çka është e ndaluar.

Burime të besueshme i thanë Top Channel se në këto rrethana çifti është paralajmëruar disa herë dhe pasi situata nuk ka ndryshuar, dosja e tyre i është kaluar për shqyrtim komisionit që përbëhet nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme, të cilët kanë vendosur largimin nga programi të familjes Kicja. Çështja e tij u shndërrua në debat politik pasi opozita akuzoi qeverinë se ka braktisur dëshmitarët e drejtësisë duke i lënë në mëshirë të hakmarrjes.

Top Channel