Polakët: Jemi të dobishëm në Britani. Emigrantët fillojnë një fushatë për dhurimin e gjakut

20/08/2015 00:00

Emigrantët polakë në Britani kanë zgjedhur dy mënyra shumë të ndryshme nga njëra tjetra për të treguar sa i nevojitet këtij vendi prania e tyre.

Grupe punëtorësh do t`i bashkohen grevës njëditore e më pas do të demonstrojnë përpara ndërtesës së Parlamentit. Por, të tjerë kanë ndërmend të dhurojnë gjak, një gjest ky i mbushur me simbolizëm.

Deri tani fushata “të përdorësh gjakun polak” në Facebook dhe Tëitter ka regjistruar 2.300 dhurues. “Drejtojuni klinikës më të afërt, gjaku juaj është një tjetër provë e kontributit tonë pozitiv në shoqërinë britanike”, është thirrja drejtuar emigrantëve.

Arkitekti i kësaj fushate, George Byczynski i organizatës “British Poles Initiative” sqaroi se nuk e shihte grevën si një veprim të nevojshëm, dhe se u vendosë që në vend të protestës, të ndërmerrej më mirë një nismë pozitive, e cila të dëshmojë se sa të rëndësishëm janë emigrantët për Mbretërinë e Bashkuar dhe sa e rëndësishme është kjo e fundit për ta.

“Disa javë më parë, lexuesit e gazetes ‘Polish Express’, që botohet në gjuhën polake, nisën të diskutonin se çfarë do të ndodhte nëse 10.000 nga polakët që punojnë në Britani do të zgjedhin të mos shkojnë në punë për një ditë. Pastaj pati edhe nje diskutim tjetër se si mund të provohej sa të zellshëm janë polakët në punë e çfarë përfitimesh i sjellin në përgjithësi emigrantët këtij vendi. Në fillim, kjo ide nuk u mor shumë seriozisht, por pastaj për të filloi të flitej gjithmonë e më shumë në internet, e ne filluam të mendonim se si mund të vihej në jetë një mendim i tillë”, u shpreh George Byczynski nga “British Poles Initiative”.

Aktualisht, pritet që në qendrat e dhurimit të gjakut në mbarë Britaninë të vërshojnë me mijëra emigrantë polakë. “Për shkak të kësaj iniciative, numri i regjistrimeve në këto qendra është rritur shumë”, shtoi Byczynski.

Top Channel