Kongresmenët amerikanë takojnë udhëheqësit kosovarë

20/08/2015 00:00

Një grup kongresmenësh amerikanë të kryesuar nga Vern Buchanan, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Ata u pritën në takim nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, ku siç njoftoi zyra e kryetarit të kuvendit, u diskutua për partneritetin e deritanishëm në mes të Kongresit amerikan dhe Kuvendit të Kosovës, për përkrahjen e madhe që mekanizmat e Kongresit i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tij legjislative dhe politike.

“Veseli dhe Buchanan gjithashtu vlerësuan se forcimi i institucioneve demokratike në Kosovë kërkon, mes të tjerash, një përqendrim më të madh në fushën e ekonomisë, sepse zhvillimi ekonomik është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim.

Pas takimit me kryeparlamentarin Veseli, kongresmenët amerikanë u pritën edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Top Channel