Tiranë, nis prishja e një shkolle private tek “Komuna e Parisit”

20/08/2015 00:00

Bashkia e Tiranës nuk do të tolerojë asnjë shkelje që lidhet me zaptimin e hapësirave publike .Këtë e ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë prezantimit të administratorit të njësisë Bërzhite, ndërkohë që ka sjellë në vëmendje rastin e shkollës “Kristaq Rama” e cila ka nisur të çmontohet.

“Teksa flasim sot është duke u çmontuar një ndërtim paleje në Tiranë, shkolla ‘Kristaq Rama’, në një nga rrugët më të frekuentuara dhe në njërën nga zonat më të banuara të Tiranës. Një shkollë e cila mban emrin e një artisti të madh, por emrin e artistit të madh e  keqpërdorte si nje licencë për të okupuar hapësirë publike siç është trotuari i rrugës së ‘Komunës së Parisit’. Prishja e asaj ndërtese sot tregon që jemi të vendosur për të mos bërë asnjë lëshim dhe për të mos pasur asnjë tolerancë, pavarësisht se me çfarë emrash dikush e kamuflon paligjshmërinë e vetë. Kjo duhet të vlejë për të gjithë territorin e Tiranës, përfshirë edhe Bërzhiten”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj premtoi se në Bërzhitë falë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por dhe Fondit Amerikan do të ketë investime të rëndësishme në infrastrukturë.

“Në këtë bashkëpunim mes fondeve të qeverisë shqiptare, fondeve të bashkisë dhe fondeve të Fondacionit Amerikan do të mund të kemi edhe një rrugë të re, por gjithashtu edhe një nga pikat me më së shumti potencial për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, siç është shpella unike e Pëllumbasit dhe do ta përfshijmë në hartën turistike të Tiranës, që kush vjen turist në Tiranë të ketë më shumë se sa qendrën e Tiranës për të parë”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i bashkisë u ka kërkuar të gjithë administratorëve të evidentojnë zonat e ndotura në mënyrë që më 4 shtator, kur të zhvillohet aksioni vullnetar për pastrimin e Tiranës, të orientohn siç duhet grupet e punës në krye të të cilëve do të jenë vetë administratorët.

Top Channel