Leka Zogu me kallash

20/08/2015 00:00

YLLI POLOVINA – Për ndonjë arsye që mund të jetë thjesht rit arkivor, por mbase edhe diçka më tepër se kaq, agjencia e lajmeve AP (Associated Press) risolli në kujtesën tonë një video mbi marshimin e Leka Zogut, më 3 korrik 1997, drejt selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kush, që atë kohë e ka ndjekur nëpërmjet pamjeve filmike, nuk e ka harruar këtë ngjarje, por përveç kronikës bën mirë që edhe kujtesa kombëtare të mos e lërë shumë mënjanë Lekën, edhe pse, ndryshe nga i ati, nuk bëri dot histori. Më 1997-n, në një vit ku të armatosurit qenë pamje e zakonshme, kur gjatë muajit mars kundër zonave që kishin dalë jashtë kontrollit të presidencës dhe të qeverisë u përdorën jo vetëm reparte këmbësorie, por deri edhe tanke, avionë Mig, helikopterë dhe lëndë kimike lotsjellëse, ajo që kreu i biri i Ahmet Zogut me një grumbull mbështetësish, ishte më shumë se një rutinë.

Politika shqiptare dhe përreth vendit interesa të rëndësishme gjeostrategjike nuk i jepnin asnjë shans mbijetese këtij marshimi allakallashnikov drejt një institucioni mjaft të rëndësishëm të shtetit, edhe pse ky ato çaste ndodhej në pikën më të ulët të pasvitit 1920.

Pretenduesi për fron ishte, edhe pse pa prova, i bindur që shqiptarët në zgjedhjet politike, por edhe referendare për republikë ose monarkinë, patën votuar për këtë të fundit. Mirëpo në një trysni për zgjidhjen e këtij pretendimi nuk kishte pse patjetër duhej të zgjidhte armët, ca më shumë që në atë periudhë të mbushur me dhunë, veprimi i anasjellë, marshimi tërësisht paqësor, do të ishte më i efektshmi. Po të ndodhte kjo, AP dhe çdo agjenci tjetër lajmesh do të shpërndante dhe rikujtonte sot një kryevepër imazhi pozitiv për Shqipërinë, por edhe për vetë dinastinë Zogolli.

Por ndodhi ajo që ndodhi. Gjesti i kryer ishte tipik një grusht shteti dhe i tillë do të mbetet, i bashkuar në një radhë të gjatë grushtshtetesh të tjera të shkaktuara prej politikanëve më “modernë” dhe më të rinj se Leka.

Ndërkohë ajo që me rastin e ribërjes publike të kësaj videoje do të dëshironim, është plotësimi sadopak i protagonistit të mësipërm edhe me ndonjë të dhënë tjetër.

Sepse Leka Zogu, që në përpjekjen e parë për t’u rikthyer në Shqipëri u gjet i papërshtatshëm, sepse në barkun e avionit kishte sjellë për të zbarkuar në Rinas (me leje të rregullt transportimi) një sasi prej koleksionit të tij të armëve. Ai nuk ishte kaq fort ekzotik i tyre. As vetëm tregtar i pasionuar për shitblerje.

Ai ishte edhe përdorues.

Leka Zogu i kishte qejf “lojërat me lufta”

Në librin “Fadil Hoxha në vetën e parë”, botim i “Koha”, Prishtinë, qershor 2010, në faqen 388, ndodhet edhe ky fragment: “Në një mbledhje të kryesisë, ministri i Punëve të Brendshme, Franjo Herleviç, doli me idenë se duhej të kidnaponim pretendentin e fronit në Shqipëri, Leka Zogun. Natyrisht, kryesia e refuzoi këtë dhe tha se çfarë na duhej kidnapimi i tij, vetëm se do t’i shkaktonim telashe vetes. Ajo punë ra në ujë”.

Konteksti ku është vendosur ky paragraf saktëson kohën e përafërt të ngjarjes: pas zhvillimit të demonstratave të studentëve dhe të mbarë popullit kosovar në mars 1981. Siç dihet, mes shumë ndërlikimeve të tjera që solli kjo gjendje tensionimi në Ballkan, në tarracën para kuzhinës së ambasadës jugosllave në Tiranë shpërtheu një sasi eksplozivi, për të cilin Beogradi zyrtar akuzoi policinë e fshehtë shqiptare, si edhe një eksponent të njohur të diasporës ish-balliste kosovare në mërgim.

Shpërthyesin e vunë vetë njerëzit e ministrit Franjo Herleviç, ndërsa Ministria e Jashtme Jugosllave nuk dinte asgjë. Sigurisht në padijeni ishte edhe ambasadori i tyre në Tiranë.

Ndërkohë po të kishte ndodhur (para apo pas bombëngjarjes) rrëmbimi i Leka Zogut vërtet do të ishte bumerang për organizatorët dhe vetë Jugosllavinë që prej një viti e më tepër po voziste pa shefin e saj, Josif Boz Titon. Duke qenë se pa e ditur ngjarjen deri në hollësi (Fadil Hoxha, anëtar i kryesisë dhe dëshmitari i vetëm i gatshëm që ta bënte publike, nuk jeton më) zbulimi i arsyeve përse donin ta rrëmbenin pretendentin për fronin shqiptar dhe ta prodhonin këtë lajm në mes të Europës, ka qenë jo vetëm në funksion të manipulimit të opinionit ndërkombëtar rreth demonstratave të pranverës 1981. Për këtë rrëmbim do të akuzohej Shqipëria, e cila këto kohë ishte mobilizuar me të gjitha forcat në mbrojtje të të drejtave të Kosovës.

Por, përveç këtij funksioni të ngjashëm me shpërthimin në ambasadë, kidnapimi mund të kishte edhe qëllime të tjera, veçanërisht për të frikësuar diasporën kosovare në Perëndim dhe çdo frymëzim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Sidoqoftë, si një faktor jo i dorës së parë, në mes të angazhimit të shërbimit sekret jugosllav vepronte dhe justifikonte kundërveprim edhe një faktor: Leka Zogu ngrinte dhe vinte në lëvizje grupe të armatosura. Me pak fjalë dëshironte të kishte një ushtri.

Zbardhja e këtij episodi për rrëmbim të tij në mes të Parisit, për historinë kombëtare do të jetë përfitim, jo sepse na zhyt në magjinë e topsekreteve, por na ndihmon të kuptojmë më mirë çfarë ka ndodhur me të shkuarën tonë. Për shembull edhe me arsyet e vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

E ndodhur në mesdhjetor 1981 kjo enigmë e bujshme e pasdemonstratave të vitit 1981, deri tani e dritësuar dhe e shpjeguar fare minimalisht, mbart një lidhje të drejtpërdrejtë me një episod tjetër shumë të fshehtë: planin për ta vrarë fizikisht Leka Zogun.

Pak muaj pas likuidimit të kryeministrit, në maj 1982, një agjenti kosovar në shërbim të Shqipërisë së asaj kohe, i vendosur në kryeqytetin francez, i erdhi urdhri të ndalonte zbatimin e planit operativ për hedhjen e helmit në ushqimin e Lekës. Anulimin e dërgonte Hekuran Isai, i cili sapo ishte emëruar ministër i Brendshëm dhe sigurisht nuk kishte lidhje me këtë projektvrasje.

Porosia për të ndërprerë likuidimin fizik të të birit të Ahmet Zogut, i cili vazhdonte të ishte ngulëkëmbës në ngritjen e përdorimin e grupeve të armatosura, erdhi në rrugë institucionale, çfarë do të thotë kaloi nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris. Më parë urdhri për të bërë vrasjen kishte kaluar jashtë çdo linje zyrtare, çfarë do të thoshte ishte zbatuar fshehtas ambasadës dhe me lidhje të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme me agjentin.

Sipas rregullave të asaj kohe, planin operativ të vrasjes së një personi jashtë shtetit mund ta anulonte vetëm Enver Hoxha.

Me siguri duhet ta ketë ndalur ai dhe çdo detaj dhe arsye të këtij veprimi e ka marrë me vete. Njeriu që nuk e mori vesh kurrë, siç rëndom ndodh në këto raste, ishte vetë Leka Zogu, që çështjen Shqipëria Republikë apo Monarki donte ta zgjidhte me mendje prej kallashnikovi.

Top Channel