Paketa e ndihmës për Greqinë e ndodhur në prag falimentimi erdhi me kushte të rrepta; prej shtetit helen kërkohen reforma të ashpra, ndër të cilat dhe një valë privatizimesh.

Këto të fundit kanë nisur me marrjen e aeroporteve të Selanikut, Korfuzit, Kretës, Qefalonisë, Rodosit, Mikonosit, Santorinit e të tjerave nga një kompani gjermane.

Menaxhimin e tyre, Fraport e siguroi kundrejt shumës së  1.23 miliardë eurove. Privatizimet e imponuara Athines në kuadër të programit të tretë të shpëtimit nisën zyrtarisht të martën, në vigjiljen e votës vendimtare në Bundestagun gjerman dhe i pari veprim i qeverisë greke ishte t’i jepte me koncesion kompanisë aeroportuale gjermane plot 14 aeroporte rajonale.

Ky hap ndjek në fakt linjen e programit të privatizimeve të përvijuar prej ekzekutivit të mëparshëm, të cilin Siriza e kishte bllokuar përkohësisht me t’u ngjitur në pushtet.

Në bazë të marrëveshjes së arritur me grupin gjerman Fraport, ky i fundit duhet të shpenzojë rreth 330 milionë euro në katër vitet e para për përmirësimin e aeroporteve të marra në menaxhim për 40 vjet.

Por në Greqi në shitje nuk kanë dalë vetëm aeroportet. Gjatë ditëve në vijim, e njëjta gjë pritet të ndodhë me një pjesë të portit të Pireut, me rrjetin hekurudhor, lotarinë kombëtare, ujësjellësat e madje edhe ishujt e shumtë të vendit.

Rebelët brenda Sirizës kanë akuzuar për “dorëzim të aseteve publike”, por ky është një prej kushteve kryesore të përftimit të huasë 86 miliardë euroshe, pa të cilën Athina rrezikon daljen nga Europa e falimentimin për shkak të borxheve të saj masive.

Top Channel