Turi për parandalimin e ekstremizmit, ministri Hyseni ndalet në Prishtinë

20/08/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës ka vizituar Komunën e Prishtinës, nga ku deklaroi se çështja e mundshme e diskurseve ekstreme nuk mund të lihet vetëm nën udhëheqjen e një institucioni, por duhet të ndalet bashkërisht.

“Parandalimin e një diskursi ekstrem, të një narrative ekstreme, nuk mund ta bëjë askush më mirë sesa imami në xhami, me një narrativë kundër ekstremizmit; prifti në kishë, arsimtari në shkollë, profesori në universitet, ministri aty ku mundet të shkojë, kryetari i komunës kudo shkon, secili anëtar i Këshillit për Siguri në bashkësinë dhe ambientin ku jeton e vepron, sepse ndonjëherë një këshillë e mirë mund ta shpëtojë një jetë njeriu”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri Hyseni shtoi se, trajtimi i kësaj teme nëpër të gjitha komunat që ai ka vizituar, nuk do të thotë se ka vend për panik, pasi – siç u shpreh ai, – Policia e Kosovës deri më tani është duke kryer punën në mënyrë të suksesshme në këtë fushë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kërkoi nga ministri Hyseni shtimin e numrit të policëve në kryeqytet. Megjithatë, gjatë takimit – ku ishin të pranishëm edhe komandantët e stacioneve policore në Prishtinë dhe anëtarë të Këshillit për Siguri në Bashkësi, – Ahmeti tha se niveli i sigurisë në Prishtinë është i kënaqshëm.

“Në mbledhjet tona kemi konstatuar gjendjen e sigurisë në komunën tonë, përmes raportimeve që na vijnë prej komandantëve të stacioneve policore të Komunës së Prishtinës. Konstatimi ynë i përbashkët ka qenë se, niveli i sigurisë në Prishtinë ka qenë i kënaqshëm për Këshillin Komunal. Kemi analizuar statistikat edhe sa i përket sigurisë në komunikacion, incidenteve që kemi pasur, natyrisht deri te problemet me të cilat merret më së shumti Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës.

Ky ishte takimi i radhës i ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në vazhdën e takimeve me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, lidhur me sigurinë në vend.

Top Channel