Qeveria e Maqedonisë ka shpallur gjendje krize në kufirin jugor dhe atë verior të vendit, për shkak të fluksit të madh të emigrantëve ilegalë. Për të shtuar kontrollin në zonat problematike kufitare, përveç policisë do të angazhohen edhe pjesëtarët e ushtrisë, të cilët do të mundohen të pengojnë hyrjen e refugjatëve në territorin e Maqedonisë.

“Për shkak të rritjes së presionit në kufirin jugor dhe situatës së krijuar me emigrantët, konstatuam se është e domosdoshme rritja e efikasitetit të kontrollit në pjesën kufitare, ku janë regjistruar hyrje masive të emigrantëve ilegalë. Angazhimi i ushtrisë presim të japë rezultate në dy aspekte: së pari, të rritet siguria te banorët lokalë dhe, së dyti, të bëhet trajtim më cilësor ndaj personave, të cilët kërkojnë azil në Maqedoni”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së në Maqedoni.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm brenda 24 orëve të kaluara, nga Greqia për në Maqedoni kanë hyrë rreth 1400 refugjatë, ndërsa gjatë dy muajve të kaluar janë regjistruar mbi 41 mijë emigrantë ilegalë, që kanë kaluar tranzit nëpër Maqedoni.

“Për fat të keq kufiri jugor, që është njëkohësisht edhe kufi i jashtëm i Europës, asnjëherë nuk është kontrolluar dhe mbrojtur nga Greqia. Jo vetëm që nuk janë ndaluar emigrantët ilegalë, por jemi dëshmitarë se, në shumë raste ata janë transportuar në mënyrë të organizuar deri në kufi”, tha më tej Ivo Kotevski.

Aktivistët e organizatave humanitare vlerësojnë se, vendimi i qeverisë ua mbyll dyert emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe shkon në favor të kontrabandistëve, që do ta shfrytëzojnë situatën për tregti të paligjshme me refugjatët. Ndërkohë, mësohet se në kufirin me Greqinë janë tubuar mijëra emigrantë, që po mundohen të hyjnë në Maqedoni.

Top Channel