Edhe Zaev kërkon ndryshim të modelit zgjedhor: Maqedonia, një njësi zgjedhore

20/08/2015 00:00

Partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM-ja do të propozojë ndryshim të modelit zgjedhor, sipas të cilit Maqedonia do të bëhet një njësi zgjedhore. Këtë e ka pohuar për mediat kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev.

Por, nevojën që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore e kanë shprehur edhe partitë të tjera më të vogla joparlamentare, duke vlerësuar se ky model zgjedhor do t’ua shtojë atyre mundësitë për të marrë vende deputetësh.

Zaev ka pohuar se LSDM-ja e di mirë, që me anë të këtyre ndryshimeve ata edhe mund të humbasin disa deputetë, por në interes të demokracisë, kjo parti është e gatshme për një zgjidhje të tillë.

Sipas opozitës maqedonase, me shpalljen e Maqedonisë si një njësi zgjedhore do të zgjidhej edhe çështja e votimit të diasporës, votat e të cilëve do t’u bashkëngjiteshin atyre të qytetarëve të Maqedonisë.

Pritet që ky propozim i LSDM-së të zyrtarizohet në takimet e grupeve punuese ndërpartiake.

Top Channel