Asociacioni, shoqëria civile: Mos shndërrohet në institucion serb në Kosovë

20/08/2015 00:00

Pjesëtarë të shoqërisë civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, të mos lejojë shndërrimin e Asociacionit të Komunave Serbe në një institucion të Qeverisë së Serbisë në Kosovë, sipas përcaktimit paralel në sistemin e saj kushtetues.

Në një komunikatë për media të Grupit për Studime Juridike dhe Politike thuhet se, është pikërisht Serbia, që dëshiron të imponojë karakterin e dyfishtë të asociacionit. Më konkretisht që themelimi, statusi dhe kompetencat e Asociacionit të bazohet në dy regjime të ndryshme juridike njëkohësisht, në atë të Kosovës dhe atë të Serbisë.

“Praktikat e ndjekura deri më sot nga qeveria serbe, që pas zgjedhjeve t’i emërojë disa kryetarë komunash serbe në Kosovë njëkohësisht edhe si kryetarë paralelë me vendimet e saj, përbën një shembull të këtij modeli”, thuhet në reagim.

Prandaj është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të garantojë se, Asociacioni do të themelohet vetëm pasi Serbia të garantojë gjithashtu se nuk do të krijojë ndonjë bazë ligjore apo kushtetuese në sistemin e saj juridik.

“Pa këtë lloj garancie, themelimi i Asociacionit, pavarësisht statusit dhe kompetencave të tij, do të shndërrohet në një organ të Qeverisë serbe në Kosovë. Kjo zgjidhje e dëmton seriozisht modelin e bashkëjetesës së ndërtuar në Kosovë në këto vite”, thuhet në komunikatën e shoqërisë civile.

Ky reagim vjen një ditë pasi, autoritetet lokale serbe në Prishtinë kërkuan nga dy qeveritë, që në takimin e radhës të arrijnë marrëveshje për asociacionin.

Top Channel