Kapshticë e Qafë Thanë, rikthehen ngarkesat dhe radhët e gjata

20/08/2015 00:00

Mbi 50 mijë persona kanë hyrë në vend që prej fillimit të muajit gusht, përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, ndërsa rreth 30 mijë të tjerë kanë hyrë nga Qafë Thana, dy prej pikave kufitare më të rëndësishme në vend.

Muaji, i cili shënon jo vetëm kthimin e emigrantëve për pushime, por edhe kulmin e sezonit veror për turistët, që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik, ka shënuar jo pak ngarkesë në pikat kufitare, ku si gjithmonë në Kapshticë emigrantët nuk u shpëtojnë dot orëve të gjata të pritjes në radhë.

Prej disa ditësh, situata në këtë pikë kufitare vijon të jetë e ngarkuar, si rrjedhojë e punës me ritme të ngadalta të palës greke dhe numrit të reduktuar të sporteleve, ndërsa nuk kanë munguar as vonesat për qytetarët, të cilët kërkojnë të hyjnë në shtetin helen.

Prej mëngjesit të kësaj të enjteje, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës fluksi i lartë i lëvizjes është shoqëruar edhe me problematikën e radhëve të gjata, teksa mjetet janë vendosur në dy korsi, ndërsa emigrantët shprehen të lodhur nga kjo situatë.

Sipas burimeve nga kjo pikë, mësohet se fluksi i lëvizjeve shtohet në fundjavë për shkak të turistëve të shumtë, të cilët zgjedhin bregdetin shqiptar për të pushuar.

Top Channel