Ish-Presidenti Carter: Tumori më ka prekur edhe trurin, do të nis rrezatimin

20/08/2015 00:00

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter ka bërë të ditur ndaj publikut se do të nisë trajtimin për një tumor në trurin e tij, në ato që konsiderohen si komentet e para publike të tij mbi sëmundjen, që e ka kapur në moshën 90-vjeçare.

Trajtimi i sëmundjes me rrezatim pritet të nisë që nga pasditja e kësaj të enjteje, ndërkohë që kohët e fundit ish-presidenti ka qenë duke u kuruar për kancer në mëlçi. Lajmi për përhapjen e sëmundjes në të gjithë trupin u dha vetëm pak ditë më parë, por këtë të enjte ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë ka zgjedhur të flasë vetë publikisht.

Ndër të tjera, ai është shprehur se do të reduktojë në mënyrë dramatike punët publike në të cilat ka qenë aktivizuar së fundi. “Është vetëm në dorën e Zotit, por unë jam i përgatitur për gjithçka që mund të ofrojë e ardhmja”, tha ai.

Një përfaqësues i demokratëve nga Georgia, Carter ka qenë thuajse i panjohur në sferën politike amerikane, në momentin kur u zgjodh President i SHBA-ve në vitin 1976. Ai shërbeu në këtë post nga viti 1977 deri në 1981-shin.

Në konferencën për shtyp të së enjtes, Carter u shpreh gjithashtu se deri më sot kishte menduar se kanceri ishte kufizuar brenda mëlçisë së tij dhe se operacioni i kryer gjatë këtij muaji mund ta kishte eliminuar tërësisht atë. Por, rezonanca magnetike e kryer po atë ditë zbuloi edhe 4 pika melanome në trurin e tij.

“Mendova se më kishin mbetur vetëm pak javë, por çuditërisht kam qenë tepër i qetë. Megjithatë, kam pasur një jetë të mrekullueshme – u shpreh ai. – Kam pasur mijëra miq dhe, falënderoj Zotin, për ekzistencën time të kënaqshme dhe aventuriere”.

Carter deklaroi më pas se, me shumë mundësi mjekët do të gjejnë shenja tumori edhe në pjesë të tjera të trupit me vazhdimin e trajtimit. Por shtoi se “ndihet shumë mirë dhe nuk ka ndierë ndonjë dhembje apo dobësi”.

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1981, Carter ka mbetur aktiv duke zhvilluar shumë punë humanitare përmes Qendrës së themeluar prej tij që mban të njëjtin emër, gjatë viteve të fundit. Shëndeti i tij është mbikëqyrur rreptësisht gjatë këtij viti. Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002.

Top Channel