Samiti i Berlinit për Ukrainën, Poroshenko synon frenimin e “agresionit” rus

20/08/2015 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko bëri të ditur gjatë kësaj të enjteje se, në samitin e ardhshëm me krerët e Gjermanisë dhe Francës të përqëndrohet në frenimin e “agresionit” rus dhe detyrimine  Moskës për t’iu përmbajtur planit të paqes së muajit shkurt për pjesën lindore të Ukrainës.

Deklaratat e Poroshenkos u bënë gjatë një ceremonie vlerësimi për oficerët e shërbimeve sekrete, teksa ushtria ukrainase shpallte vdekjen e 4 ushtarëve dhe plagosjen e 14 të tjerëve gjatë shkëmbimzjarrit me separatistët prorusë. Luftimet e fundit kërcënojnë armëpushimin 6-mujor mes forcave qeveritare dhe separatistëve prorusë.

Poroshenko do të takohet me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe Presidentin francez, Francois Hollande, gjatë së hënës së ardhshme në Berlin, me kërkesë të Kievit si kundërpërgjigje e rritjes së luftimeve në lindje dhe juglindje të Ukrainës, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.

Më shumë se 6500 njerëz janë përllogaritur të jenë vrarë përgjatë konfliktit, që lindi me rebelimin e separatistëve prorusë në lindje pas rrëzimit të Presidentit prorus, Viktor Yanukovych, gjë që detyroi Rusinë të aneksonte Krimenë.

Të dyja palët kanë tërhequr një sasi të konsiderueshme të armatimeve të rënda nga vija e frontit, që kur u arrit armëpushimi në Minsk të Bjellorusisë, gjatë muajit shkurt, por shkeljet e herëpashershme dhe përplasjet sporadike ende marrin jetë të tjera njerëzish ditë pas dite.

Top Channel