Rinovimi, Kimi ndihet i lumtur. Vettel: Ndikoi edhe mendimi im

20/08/2015 00:00

Ferrari ka fituar mbi të gjitha një pilot shumë të mirë, pasi sa u përket performancave të shfaqura ai është tepër i shpejtë dhe shumë pranë më të mirëve. Këto janë fjalët e Sebastian Vettel, për kolegun e tij të skuadrës, Kimi Raikkonen.

Në fakt, konfirmimi i pilotit finlandez edhe për një tjetër vit me “kokëkuqen” ka ardhur edhe për shkak të një “rekomandimi” të vetë pilotit gjerman.

Zyrtarisht as nuk thuhet nën zë dhe as nuk konfirmohet, por në vendimin e skuderisë nga Maranello për të rinovuar me ish-kampionin e botës, mendimi i 4 herë fituesit të Formula 1 me Red Bull ka qenë tepër deciziv.

E megjithatë, kur ia thonë këtë gjë në Spa, Sebastiani qesh. “Në fakt nuk kam qenë në takimin ku kanë vendosur t’ia rinovojnë kontratën – ka thënë me shaka ndaj gazetarëve të interesuar. – Por kam thënë mendimin tim në lidhje me Kimin dhe sigurisht që ka qenë i favorshëm për rinovimin me të. Gjithsesi, ky është një detaj i vogël, për të cilin nuk duhet të shqetësohemi, sepse përndryshe heqim vëmendjen nga objektivi ynë kryesor, ai i të ndërtuarit të një Ferrari fitues”.

Pas rinovimit të kontratës, i gëzuar për qëndrimin te Ferrari edhe për vitin 2016 është shprehur edhe vetë finlandezi.

“Skuadra po punon shumë mirë, është e bashkuar dhe kompakte, ndërsa unë jam tepër i lumtur për qëndrimin tim edhe për një tjetër vit. Kontrata e re nuk do ta ndryshojë aspak qasjen tonë në punët e kësaj fundjave. Tashmë duhet të bëjmë të tjera hapa për të siguruar progres dhe për ta mbyllur sa më mirë pjesën e dytë të këtij botërori”, ka thënë Kimi Raikkonen.

Në fund edhe një mendim për Vettelin. “E njoh shumë mirë, kemi një raport pozitiv dhe biem dakord për shumë gjëra, por respektojmë edhe vendimet e njëri-tjetrit. Punojmë së bashku dhe kjo gjë e ndihmon shumë skuadrën për të punuar sa më mirë. Jam i sigurt se vitin e ardhshëm gjërat do të shkojnë edhe më mirë. Momenti im më i mirë me ‘kokëkuqen’? Sigurisht viti kur arrita të shpallesha kampion, por i bukur ka qenë edhe sezoni i 2009-s kur arritëm të fitonim këtu në Belgjikë”.

Top Channel