Dorëhiqet Aleksis Tsipras, grekët votojnë për të tretën herë brenda këtij viti

20/08/2015 00:00

Grekët do të votojnë për të tretën herë brenda këtij viti. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të muajit janar dhe referendumit për masat shtrënguese të muajit korrik, votuesit do të dalin sërish më 20 shtator për të zgjedhur parlamentin e ri, pas dorëheqjes së kryeministrit, Aleksis Tsipras.

Tsipras njoftoi mbrëmjen e së enjtes vendimin e tij për të shpërndarë qeverinë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Më herët ai ka biseduar me ministrat e kabinetit, në një mbledhje urgjente të zhvilluar në orët e mesditës.

“Dua të jem i sinqertë se nuk arritëm marrëveshjen që donim. U tërhoqëm, por sollëm marrëveshjen më të mirë të mundshme për grekët dhe Greqinë. Synimi ynë është të zbusim pasojat negative që sjellin masat e kësaj marrëveshjeje, duke mbrojtur interesat e të varfërve”, tha Tsipras.

Ai ka krahasuar marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e tij me dy të mëparshmet e nënshkruara nga Demokracia e Re dhe PASOK, duke theksuar se qeveria e tij bëri çfarë ishte e mundur dhe ruajti  marrëdhëniet e punësimit, ndaloi pushimet masive nga puna, hoqi taksat në spitale, siguroi  teprica të vogla primare për vitet në vazhdim, që nënkuptojnë masa më të lehta për popullin dhe mbi të gjitha, paketa e tretë e ndihmes nuk mbështetet tek e drejta britanike, por tek ajo europiane, duke siguruar kështu pasurinë shtetërore.

“Për herë të parë filluam negociatat dhe mund të sigurojmë një reduktim të borxhit. Tashmë që kemi arritur në fund, kërkoj gjykimin tuaj për ato ç’kam bërë. Le të marrë në dorë përsëri fuqinë populli. Ju do të vendosni se çfarë duam të bëjmë! Ju do të vendosni kush dhe si do ta udhëheqë Greqinë, kush dhe si  do të arrijë reduktimin e borxhit, reformat! Ju do të na gjykoni përsëri”, ka deklaruar Tsipras.

Vendimi për zgjedhje të parakohshme është marrë nga kryeministri pasi rebelët marksistë në gjirin e grupit parlamentar të Radikalëve të Majtë, nuk mbështesnin më reformat që kërkon të zbatojë qeveria pas miratimit të paketës së tretë të ndihmës prej 86 mld euro. Tsipras ka kritikuar rebelët e partisë së tij që kërkojnë kthimin tek dhrahmia, por edhe partitë tradicionale, që i ka quajtur qendra të vjetra të pushtetit.

“Krenar për betejën që bëra. Kërkova të mbetesha besnik tek ato që premtova, luftova mesa munda dhe morëm më të mirën duke arritur deri në limite, por vendosëm çështjen greke në çështje botërore”, ka përfunduar kryeministri grek.

Hapi tjetër do të jetë dorëzimi i mandatit tek Presidenti Pavlopoulos. Ky i fundit do të thërrasë këshillin e udhëheqësve politikë të partive parlamentare dhe pasi të ketë konstatuar se asnjë nga partitë e tjera nuk dëshiron të marrë mandatin qeverisës, do të shpallë urgjentisht zgjedhje të parakohshme.

Sipas Kushtetutës greke, kësaj here zgjedhjet e parakohshme, për arsye se nuk kanë kaluar më shumë se 18 muaj nga data e zhvillimit të zgjedhjeve të mëparshme do të zhvillohen me listë të kandidatëve,të cilën do e përcaktojë çdo kryetar partie.

Në këtë mënyrë, Tsipras do të zgjëdhë kandidatët për deputetë të gjithë të majtët që duan ta mbështesin, duke krijuar një grup të fuqishëm parlamentar. Nëse do të shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe Tsipras do të japë dorëheqjen, presidenti Pavlopoulos do të emëroje edhe një qeveri të përkohshme, që sipas Kushtetutës do të ketë kryeminiser kreun e Gjykatës së Lartë, që në rastin konkret është zonja Vasiliki Thanou-Christofilou. Kështu, Greqia do të ketë për herë të parë në historinë e saj  një grua në krye të qeverisë, edhe pse përkohësisht.

Top Channel