NASA qetëson: Asnjë asteroid nuk do ta godasë Tokën

21/08/2015 00:00

Një lajm mbi goditjen e Tokës nga një asteroid gjigant po qarkullon me shpejtësi nëpër internet ditët e fundit.

Pretendimet janë se përplasja e këtij asteroidi do të ndodhë brenda një muaji dhe do të jetë fatale për njerëzimin dhe vetë planetin tonë.

Aq shqetësues është bërë ky lajm, sa është dashur ndërhyrja e vetë NASA-s, agjencisë amerikane të hapësirës, për të qetësuar gjithçka. Shkencëtarët e NASA-s thonë se asnjë asteroid nuk e kërcënon Tokën, as në një të ardhme të afërt, as të largët.

“Nuk ka asnjë provë që një asteroid apo një trup tjetër qiellor po ndjek një trajektore që do ta përplasë me planetin tonë. Në fakt, asnjë trup qiellor nga ata që njohim ne nuk ka mundësi që të përplasjet me Tokën në shekullin e ardhshëm”, deklaroi Paul Chodas, drejtues i Jet Propulsion Laboratory, që vepron për llogari të NASA-s në Pasadena të Kalifornisë.

Gjithçka nisi prej një komuniteti besimtarësh në internet, që ngrenë teori duke interpretuar pjesë të Biblës dhe që pretendonin se përplasja e madhe do të ndodhë mes 15 dhe 28 shtatorit.

Besohet se profecia e apokalipsit është përhapur fillimisht nga “profeti” i vetëshpallur, Rev Efraid Rodriguez, i cili thotë se, “është vënë në dijeni për katastrofën nga një mesazh i Zotit”.

Top Channel