Pse i ka mbijetuar faksi kohës?

21/08/2015 00:00

Kur u dëmtuan reaktorët bërthamor në Fukushima, në vitin 2011, punonjësit u përpoqën të dërgonin një faks për të vënë në dijeni autoritetet e qytetit më të afërt, Namie. Përgjigja e faksit ishte: “Nuk mund të pranohet”. Dhe punonjësit, sipas një raporti të një viti më vonë, u përpoqën të arrijnë qytetin nëpërmjet numrave fiksë, celularëve, dhe së fundmi personalisht. Qyteti ishte shkatërruar nga tërmeti dhe cunami që shkaktoi krizën e Fukushimës.

Përdorimi i fakseve në Fukushima (mesazhe me faks iu dërguan edhe zyrtarëve në Tokio për katastrofën), na kujton mbi triumfin e një teknologjie të vjetër. Emaili është i shpejtë, madje me teknologjitë e fundit jep një bashkëpunim më të mirë, por faksi mbijeton. Faksi është përshtatur me ardhjen e emailit dhe ka gjetur një përdorim të ri.

“Financial Times” i ka dedikuar një artikull të veçantë përdorimit të faksit, benefiteve të tij dhe rezistencës ndaj teknologjisë së fundit.

Por pse ka mbijetuar faksi?

E mira e kësaj teknologjie, për ata biznesmenë që vazhdojnë të shohin në të ardhmen përdorimin e faksit, është se është i lirë dhe i lehtë në përdorim. Madje, ai shihet më i sigurtë se një email për të dhënat konfidenciale, si përshembull të dhënat mjekësore.

Në një studim të IDC me mbi 1 mijë biznese në SHBA shtatorin e kaluar, pak më shumë se gjysma e tyre thonin se kishin përdorur faksin në mënyrë konstante, vetëm një e pesta ishin shprehur se nuk e përdornin më, dhe një numër shumë i vogël deklaronin se nuk e kishin përdorur asnjëherë këtë teknologji.

Peter Davidson, i Davidson Consulting që merret me studimet për sektorin e fakseve, thotë se për të lajmëruar dikë sot përdoret emaili dhe mesazhet. “Por kur ju duhet të dërgoni një dokument të rëndësishëm, duhet ta bëni me faks. Është jashtëzakonisht e vështirë të gjurmosh një faks”, thotë ai.

Ndërsa kreu i marketingut të teknologjisë së Xerox vëren se firma dixhitale në PDF është adoptuar mjaft në të gjithë botën, por ende nuk konsiderohet e ligjshme për kontratat. “Disa kompania kërkojnë ende një firmë që vijnë me faks”, thotë Siddhartha Bhattacharya.

Në Japoni, faksi është mjaft i përdorur për shkak të shkrimit të ndërlikuar, dhe skanimi i një shkrimi është më e lehtë se shtypja e tij. Shumë zyra qeveritare japoneze dhe zyra politike ende këmbëngulin që të mbajnë korrespondencë nëpërmjet faksit.

Përdorimi i faksit si një urë lidhëse mes tekonoligjisë së lartë dhe teknologjisë së ulët, nuk është ndonjë e re në vetvete, përfundon “Financial Times”. Të porosisje ushqimin me faks nga zyra në një lokal ushqimi ishte shumë familjar në vitet ’80, por kombinimi i faksit me internetin, ndihmon në krijimin e një tregut të ri online.
 
Teksa biznesi i internetit po rritet shumë shpejt në sektorë si pastrimi shtëpiak, apo shërbimi i lavanderisë, ku ka nivele të ndryshme të teknologjisë, faksi është një lehtësim. Klientët mund të japin porosi me smartphone, por këto porosi shpesh kryhen nga kontraktorë që kërkojnë një dokument faksi.

Top Channel