Greqi, rebelët e Syrizas krijojnë partinë e re “Uniteti Popullor”

21/08/2015 00:00

Rebelët e ekstremit të majtë në koalicionin Syriza në Greqi janë larguar përfundimisht nga qeveria tashmë e dorëhequr për të formuar një parti të re me vetëm 25 deputetë në detyrë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryetari i Parlamentit gjatë kësaj të premteje, vetëm një ditë pasi kryeministri Alexis Tsipras dorëzoi mandatin e kabinetit të tij te Presidenti i vendit, në mënyrë që t’u hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Partia e re do të quhet “Uniteti Popullor” dhe do të kryesohet nga ish-ministri i Energjisë, Panagiotis Lafazanis, kreu i fraksionit të ekstremit të majtë brenda Syrizas, që sfidoi thirrjen e kryeministrit në largim të Greqisë për të mbështetur programin e tretë të shpëtimit të vendit.

Me 25 deputetë në Parlamentin ende të pashpërndarë, partia e re do të përbënte bllokun e tretë parlamentar në Kuvendin me 300 vende, duke zbritur më poshtë në rend “To Potami”-n e qendrës dhe “Agimin e Artë” të ekstremit të djathtë, dy parti që kanë nga 17 deputetë secila.

Top Channel