Dhunohen emigrantët në kufi. Policia maqedonase përdor edhe gazin lotsjellës

21/08/2015 00:00

Pjestarët e njësive speciale kanë përdorur gazin lotësjellës dhe plumba të gomës për të penguar emigrantët nga Lindja e Mesme që të hyjnë në territorin e Maqedonisë përmes Greqisë.

Arsyeja e këtij intervenimi, sipas policisë, ka qenë ruajtja e kufirit në bazë të autorizimeve.  Policia nuk bëri të ditur se si ka ardhur deri tek përleshja, ku mbetën të plagosur disa refugjatë.  

Emigrantët janë ankuar për dhunë dhe terror të ushtruar nga ana e policisë maqedonase.

Nga Ministria e Brendshme thonë se gjatë ditës së premte kanë lejuar që kufirin ta kalojnë një numër i limituar i emigrantëve ilegal, kryesisht nga kategoritë më të rrezikuara, në përputhje me kapacitetet që ka vendi.

Për shkak të masave të rrepta dhe mbylljes së kufirit për disa orë, mbi 3 mijë emigrantë kanë kaluar natën në qiell të hapur, duke tentuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë.

Ndërkohë, raportohet se mbrëmjen e së enjtes një pjesëtar i policisë mbeti i plagosur me thikë nga ana e një emigranti.

Shkupi zyrtar, ka njoftuar se ka shtuar masat e kontrollit kundër refugjatëve duke  stacionuar në kufirin jugor me Greqinë, njësitet speciale dhe mjetet e blinduara.

Autoritetet maqedonase një ditë më parë shpallën gjendje krize në pikat problematike kufitare si pasojë e fluksit të madh të emigrantëve. Për të penguar kalimin e tyre, në të dy anët e hekurudhës Selanik-Shkup, policia ka vendosur tel me gjemba të gjatë 300 metra.

Maqedonia është shndërruar në vend tranzit për emigrantët nga Lindja e Mesme të cilët synojnë të shkojnë në vendet e zhvilluara të Europës Perwndimore. Vetëm gjatë dy muajve të fundi mbi 41 mijë refugjatë kanë kaluar nëpër Maqedoni.

Top Channel