Francë, Fronti Nacional përjashton Jean-Marie Le Pen

21/08/2015 00:00

Themeluesi i Frontit Nacional francez, Jean-Marie Le Pen, pritet ta kundërshtojë me mjete ligjore përjashtimin për herë të dytë nga partia e ekstremit të djathtë, duke mbajtur gjallë në këtë mënyrë edhe luftën brenda familjes, e cila ka përshkuar gjithë fushatën e vajzës së tij për t’u bërë Presidente e Francës.

Komiteti Ekzekutiv i partisë franceze votoi të enjten për të përjashtuar 87-vjeçarin për shkak të komenteve antisemite të tij, pas diskutimeve të gjata disaorëshe me të. Lëvizja ishte përpjekja e fundit për ta mënjanuar atë dhe për të forcuar perspektivat e zgjedhjes së vajzës së tij, Marine Le Pen, në garën presidenciale të vitit 2017 në Francë.

“Nuk jam informuar ende mbi këtë vendim. Kur ta bëjnë, do ta kundërshtoj siç kam bërë gjithmonë“, tha Le Pen për “RTL Radio” këtë të premte.

Marine Le Pen pasoi të atin e saj si kryetare partie që në vitin 2011, por grindja mes saj dhe atij nisi në prill të vitit të kaluar, kur babai e njëkohësisht themeluesi i partisë ekstreme mbrojti komentet e bëra në të kaluarën në lidhje me dhomat e gazit gjatë Luftës së Dytë Botërore, që i quajti “detaje” të historisë.

Gjykatat franceze kanë dhënë dy herë vendime gjatë këtij viti, duke rrëzuar si të jashtëligjshme përpjekjet e Frontit Nacional për të mënjanuar Le Penin themelues, i cili mbetet gjithsesi President Nderi pasi apeloi veprimet e partisë.

Jean-Marie Le Pen nisi gjithashtu edhe serinë e fundit të sulmeve të ashpra ndaj vajzës së tij, e cila nuk ishte pjesëmarrëse në dëgjesën e së enjtes. “Ajo ishte në krye të skuadrës së ekzekutimit përmes telefonit”, tha ai. “Nuk donte të merrte pjesë, sepse është e dhimbshme të vrasësh babain tënd, ndaj dhe nuk zgjodhi të më vriste drejtpërdrejt, por përmes xhelatëve të saj”.

Top Channel