Serie A, Juventusi ëndërron trofeun e 5-të. Kush do ta sfidojë?

21/08/2015 00:00

Shefi ekzekutiv i Juventusit, Beppe Marotta, ka bërë të ditur se humbja e disa lojtarëve kyç të formacionit nuk do t’i vërë fre synimin të tyre për të barazuar rekordin prej 5 titujsh radhazi kampion në Itali, teksa Serie A do të nisë këtë fundjavë, kurse të dielën kampionët do të presin Udinezen.

Gjigantët nga Torino kanë shitur lojtarë tepër të shquar si Andrea Pirlo, Arturo Vidal dhe Carlos Tevez, të larguar respektivisht drejt New York City FC, Bayern Munchen dhe Boca Juniors, gjatë kësaj vere, por “zonja e vjetër” është përgjigjur me të njëjtën monedhë, duke siguruar shërbimet e Sami Khedira nga Real, Paulo Dybala nga Palermo dhe Mario Mandzukiç nga Atletico Madrid, ndërsa së fundi rrëmbyen edhe mbrojtësin brazilian Alex Sandro nga Porto.

Marotta është shprehur se një tjetër “mesfushor klasi” do të bashkohet me ekipin përpara fundit të merkatos verore, por edhe me këtë skuadër që ka aktualisht, ai mbetet optimist se Juventusi do të jetë ekipi për t’u ndalur edhe këtë sezon.

“Largimet e Tevezit, Pirlos dhe Vidalit kanë qenë domethënëse, por nuk mund të bënim asgjë. Gjithsesi kemi mundur të riparojmë situatën duke blerë të tjerë lojtarë për t’i zëvendësuar ata”, tha Marotta.

Juventusi (dy herë), Torino dhe Interi janë të vetmet ekipe në Itali që kanë fituar nga 5 tituj radhazi kampion Italie. “Nuk e di nëse jemi më të fortë apo më të dobët sesa vitin e kaluar, por Juventusi është dhe do të mbetet Juventus dhe nuk mund të mos gjendemi vetëm në vendet e kreut. Unë personalisht jam shumë optimist edhe për këtë sezon”, vijoi më tej Marotta.

Titulli i katërt kampion në Itali, vitin e kaluar, për Juventusin u kompletua edhe me triumfin e parë në Kupën e Italisë pas 20 vitesh, si dhe me zhvillimin e finales së parë të Champions League që prej vitit 2003.

Roma, nënkampione e dy sezoneve të fundit, pretendon me të drejtë të sfidojë Juventusin për titull, por “Juventusi mbetet favoriti kryesor, për shkak se vjen nga 4 tituj radhazi të fituar”, thotë Seydou Keita. “Por nëse ne luajmë me vazhdimësi, gjë që na mungoi vitin e kaluar pas pushimeve dimërore, mund të synojmë edhe ne titullin deri në fund të seoznit”. Roma ka larguar sulmuesin Doumbia për te CSKA e Moskës, por ka huazuar boshnjakun Edin Dzeko dhe egjiptianin Mohamed Salah, nga Manchester City dhe Chelsea respektivisht.

Mes rivalëve të tjerë që mund t’i hapin probleme Juventusit janë edhe Lazio, Milan dhe Inter, teksa kryeqytetasit luajnë aktualisht në “play-off”-et e Championsit me Leverkusenin për një vend në grupet e këtij kompeticioni, ndërsa dy skuadrat milaneze janë të dëshpëruara për t’u rikthyer në Europë, minimalisht, pse jo edhe për titullin kampion në Itali.

Të shtunën do të luhen Verona-Roma dhe Lazio-Bologna, ndërsa të dielën janë të gjitha ndeshjet e tjera, përfshi Juve-Udineze dhe Fiorentina-Milan.

Top Channel