Ambasada ruse: Nuk ka embargo të grurit ndaj Shqipërisë

21/08/2015 00:00

Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri ka hedhur poshtë këtë të premte lajmet e publikuara së fundi nëpër mediat shqiptare, mbi ekzistencën e rrezikut të ndërprerjes së eksporteve të grurit rus për në Shqipëri.

Duke konfirmuar vendimin e qeverisë ruse të datës 13 gusht 2015, sipas të cilit Shqipëria është ndër 5 vendet e reja që përfshihen në “listën e zezë” të shteteve prej nga ndalohet importi në Rusi i prodhimeve bujqësore, Ambasada thekson edhe njëherë se ky vendim i Kremlinit parashikon vetëm ndalim të eksporteve shqiptare drejt Moskës, kryesisht lëndë të para bujqësore dhe ushqime, për shkak se Shqipëria u është bashkuar vendeve që kanë vendosur sanksione antiruse.

Vendimi i qeverisë ruse, sipas Ambasadës, është një hap i ndërmarrë në bazë të parimit të reciprocitetit dhe është një kundërmasë e Rusisë ndaj Shqipërisë, si një nga vendet që ka mbështetur vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian, të datës 22 qershor 2015, për zgjatjen e sanksione ekonomike kundër Rusisë, për shkak të veprimeve destabilizuese të Moskës në Ukrainë, si dhe sanksioneve ekonomike kundër Krimesë dhe Sevastopolit. Të dyja këto vendime të Bashkimit Europian, Ambasada ruse në Tiranë i quan të paligjshme.

Në fund, njoftimi për shtyp i Ambasadës së Federatës Ruse thekson se regjimi i eksportit të mallrave ruse, përfshirë edhe grurin, nuk preket nga vendimi i Kremlinit i datës 13 gusht dhe se nuk do të bëhet kurrsesi nga Rusia, duke dashur kështu të qetësojë edhe ata që janë shqetësuar nga një ndërprerje e mundshme e furnizmit të Shqipërisë me grurin rus.

Top Channel