Frroku mbetet në burgun shqiptar, Gjykata e Lartë refuzon kërkesën për lirim

21/08/2015 00:00

Deputeti Kristian Demokrat Mark Frroku u paraqit sërish në Gjykatën e Lartë, ku edhe mori refuzimin e kolegjit penal mbi kërkesën e tij për të ndryshuar masën nga arrest në burg në arrest shtëpiak, përballë garancisë pasurore prej 10 mijë eurove.

Me sa rezultoi nga seanca, këmbëngulja e avokatëve të Frrokut që synonin ta nxirrnin nga paraburgimi, shërbeu vetëm për ndërprerjen e lejes verore të pesë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Për mbrojtjen ka mungesë logjike ligjore që nga njëra anë deputeti Frroku të gjykohet në Belgjikë për një vrasje të 1999 dhe nga ana tjetër ai të hetohet për të njëjtin objekt edhe në Shqipëri. Mbi këtë argument ata kërkuan prej gjykatës edhe dhënie pëlqimi në mënyrë që deputeti të ndjekë në vjeshtë gjyqin që starton kundër tij në gjykatën e Brukselit.

Por mosmarrja në konsideratë nga Gjykata e Lartë edhe e kësaj kërkese për avokatin është shkelje e të drejtave, çka nënkupton për avokatët, lëvizjen e radhës që është gjykata e Strasburgut.

“Nuk ka vendim për transferimin e procedim penal nga shteti kërkues. Shteti kërkues, që është shteti belg, nuk kërkon që çështja penale të fillojë nga ana e Prokurorisë. Është e çuditshme që përfaqësuesi i akuzës përpara gjykatës pohoi se Shqipëria ka ratifikuar një marrëveshje me shtetin belg, po shteti belg nuk e ka ratifikuar këtë, është jo normale. Neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, neni 3, pika a, b dhe c jep garanci proceduriale jo vetëm ndaj deputetit po çdo person që gjykohet për një çështje”, tha Saimir Visha.

Por ndërsa avokati u shpreh se do kërkojë dëmshpërblim financiar në Strasburg për Frrokum, vetë deputeti iu drejtua në heshtje automjetit policor, i cili e shoqëron drejt paraburgimit 302, i njëjti burg ku më heret u mbaj edhe i vëllai, Arben Frroku.

Top Channel