Superiorja 2015-’16 nis me ndeshjen Partizani-Laçi. FSHF, në kërkim të sponsorëve

21/08/2015 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit, në prag të nisjes së sezonit të ri të Kategorisë Superiore, ka prezantuar imazhin e ri të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

FSHF ka vendosur të gjejë alternativa të ndryshme për të përthithur sponsorët, duke nxjerrë në shitje emrat e aktiviteteve që organizon.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, blerja e emrit të kampionatit të Superiores do të fillojë nga 300 mijë euro, një shifër që – sipas tyre, – është e merituar dhe fillestare për hapjen e bisedimeve.

Po sipas sektorit të Marketingut, bisedimet kanë filluar me disa sponsorë, por ende nuk është mbyllur asgjë.

Gjithashtu, në prag të sezonit të ri, FSHF ka filluar bisedimet me klubet për krijimin e ligës, një nismë e ndërmarrë edhe më parë, por që nuk ka funksionuar për shumë arsye. Gjithsesi, sinjalet e para janë pozitive, por gjithçka është në hapat fillestarë.

Mbrëmjen e sotme në 20:00 nis edhe sezoni i ri i Kategorisë Superiore, me ndeshjen e parë Partizani-Laçi, që do të luhet në “Qemal Stafa”.

Ekipet pjesëmarrëse në këtë edicion janë: Skënderbeu, Partizani, Flamurtari, Bylis, Teuta, Vllaznia, Laçi, Tirana, Tërbuni dhe Kukësi.

Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë një ceremoni për hapjen e këtij sezoni, ku të pranishëm do të jenë presidenti Armand Duka, sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, si dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Top Channel