Biznesi shton regjistrimet në QKR, paralajmërimet e qeverisë nxisin formalizimin e ekonomisë

21/08/2015 00:00

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tha se aksioni i parlajmëruar i qeverisë kundër informalitetit ka filuare të japë efektet e para ende pa filluar. Vasilika Vjero bëri të ditur se regjistrimet e biznesit janë dyfishuar.

“Vetëm gjatë periudhës Korrik – Gusht 2015 ka pasur dhe po vijon një numër i lartë regjistrimesh: 3,982 ose 2 hëre më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Kjo do të thotë se, përveç bizneseve të reja, kemi të bëjmë edhe me shenjat e para të daljes nga zona gri e informalitetit të bizneseve që nuk janë regjistruar prej më shumë se sa një viti e me tej”, tha Vasilika Vjero, Drejtoreshë e QKR.

Drejtoresha e QKR i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve informale që të dalin nga evazioni, sepse kjo do të jetë më pak e kushtueshmë për ta.

“Apeli ynë është regjistrohuni, formalizohuni, pajisuni me kasat fiskale dhe mos shisni pa kuponin fiskal. Operacioni i gjerë kundër informalitetit mund t’ju kushtojë shumë më tepër në terma financiarë dhe ligjorë, atyre që mendojnë se fitojnë më shumë duke qëndruar jashtë binarëve të ligjit”, tha Vjero.

Shqipëria numëron rreth 170 mijë biznese aktive, 30 mijë prej të cilave sipas kreut të QKR janë regjistruar dy vitet e fundit.   

Top Channel