Me të kaluar pikën kufitare të Muriqanit, një rrugë plot gjelbërim, në të dyja anët, të shpie drejt Ulqinit. Jemi larguar rreth 130 kilometra nga Tirana, në drejtim të qytetit bregdetar në Jug të Malit të Zi. Ulqini shfaqet i zhurmshëm, me qindra turistë shqiptarë e të huaj, që popullojnë rrugicat, baret e restorantet buzë detit, nga ku peizazhe të mrekullushme të rrëmbejnë shikimin. Një qytet i pasur në histori, kulturë dhe natyrë…

Vizita në Ulqin nuk mund të mos nisë nga Kalaja 2500 vjeçare, ndër më të vjetrat në Adriatik, ndërtuar mbi një kodër shkëmbore. Historia mijëravjeçare e Ulqinit ka frymëzuar historianë e mendimtarë. Ndër shekuj, poetët kanë thurrur vargje e kanë përshkruar bukuritë e këtyre viseve. Ka kaluar në Ulqin Lord Bajron, Arnold von Harfi, por ajo që pakkush e njeh jashtë qytetit është gojëdhëna për shkrimtarin e njohur spanjoll Miguel de Servantes.

Ndonëse të dhënat shkencore dhe dokumentimet historike mungojnë, thuajse gjithë ulqinakët krenohen me legjendën sipas të cilës Servantes kaloi këtu plot pesë vjet robëri. Shumë prej tyre besojnë se shkrimtari gjeti në Ulqin edhe Dylqinjën, dashurinë e zemrës së Don Kishotit. Megjithëse pas kësaj historie fshihen shumë skeptikë, thuajse të gjithë bien dakord në një pikë të vetme: Ulqini është një qytet i magjishëm!

Nga çdo qoshe e qytetit mund të soditësh natyrën bujare. Këto janë vetëm pak nga arsyet pse Ulqini nga viti në vit i ka shtuar fansat me shpejtësi, mes tyre shumë të huaj.

“Ne jemi një çift nga Anglia, im shoq është nga Londra, unë nga Liverpuli. Është një qytet i mrekullueshëm. Më pëlqen shumë qielli ngjyrë blu dhe shkëlqimi i diellit, krejt ndryshe nga grija që na servir Londra. Plazhi është shumë i bukur, njerëzit që kemi takuar në rrugë janë shumë miqësorë”,- thotë një turiste angleze.

Plazhi më i njohur i Ulqinit është Plazhi i Madh, që është një plazh ranor 14 kilometra, plazhi më i gjatë në Malin e Zi. Në qytet gjendet Plazhi i Vogël, ndërsa për turistët që dëshirojnë një atmosferë krejt ndryshe është ishulli Ada. Përgjatë lumit Buna, plazhi i nudistëve, një ndër më të frekuentuarit në Europë.

“Është një qytet i vogël, por përveç plazheve dhe detit ka edhe lumin Buna dhe ishullin Ada, plazhi nudistik i njohur në Europë dhe botë. Në Kalanë e Ulqinit ndodhet muzeu historik dhe etnografik që punon çdo ditë, përveç ditës së hënë. Kemi edhe ambiente të tjera të cilat të gjithë mysafirët duhet t’i vizitojnë, duke filluar nga Krojet e ndryshme, Ullishtja e vjetër etj.,- thotë Zana Hollaj Sarvan, drejtoreshë e organizatës turistike në komunën e Ulqinit.

Pjesën më të madhe të popullsisë së Ulqinit e përbëjnë shqiptarët, me mbi 70 % të saj, që bashkëjetojnë me malazezë, serbë, boshnjakë etj. Nga rreth 20 mijë banorë gjatë dimrit, vera e nxehtë e çon popullsinë e Ulqinit në mbi 100 mijë banorë, që zgjedhin të pushojnë nën shazllonet e plazheve e të njihen me një numër të lartë objektesh fetare që flasin për kulturën dhe jetën shpirtërore të qytetit.

“Numri i mysafirëve këtë vit është më i madh se vitin e kaluar. Shumica janë nga Kosova, por edhe nga vende të tjera të Europës Qendrore. Ne i kemi marrë të gjitha masat për një sezon sa më të mirë, që nga furnizimi me ujë, e deri tek pastërtia,- thotë Fatmir Gjeka, kryetar i komunës Ulqin.

Në Ulqin mund të shkohet edhe për turizëm kulinar. Një sërë restorantesh përgjatë lumit Buna, por edhe në ballkonet natyrale nga ku soditet deti, ofrojnë pjata me shije të larmishme, ku në menu mbizotërojnë produktet e detit.

Ky është Ulqini, nga ku ende pa u larguar ndjen të të kaplojë një dëshirë rikthimi…

Top Channel