Në vjeshtë, linjat europiane. Dimri dhe pranvera e bëjnë zgjedhjen të vështirë, ndërsa për nga kostoja e udhëtimit me avion, verën e 2016-s qëndrojuni larg Shteteve të Bashkuara.

Parashikime afatgjata vështirë të bëhen, por nisur nga të dhënat informatike mund të përvijohet të paktën një tendencë. Këtë e morën përsipër ta bëjnë ekspertët e Hopper, kompania me një seli në Boston dhe një në Montreal, së cilës “Corriere della Sera” i ka kërkuar të përcaktojë se, cila do të ishte periudha më e përshtatshme për të fluturuar drejt destinacioneve të ndryshme në mbarë botën, nga aeroportet e mëdha italiane në Milano, Venecia, Romë e Napoli.

Më thuaj ku dëshiron të udhëtosh, e unë të them kur është momenti më i mirë për xhepin tuaj. Nga verifikimet e Hopper rezulton se, kush ka ndërmend të udhëtojë drejt Nju Jorkut nga Milano, e sigurisht nëse nuk ka diçka urgjente, më mirë të presë dimrin; i kushton 43% më lirë për të njëjtën rrugë.

Çmimet e biletave janë më të larta në verë, – përllogarisin ekspertët, – çka nuk është ndonjë risi e madhe. Por, sipas tyre, ka dy dallime: së pari, europianët paguajnë më pak se amerikanët për rrugëtimet e bëra; së dyti, ka edhe linja të cilat janë të leverdisshme vetëm në verë.

Udhëtimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Europës rezultojnë më të shtrenjta në periudhën Qershor-Gusht, pas së cilës çmimet ulen. Momenti më i mirë për të udhëtuar mbetet ai jashtë pikut të sezonit, ndërsa këshillat janë që destinacione europiane, si Parisi, apo qytete të ndryshme amerikane, të vizitohen gjatë muajve të vjeshtës e pranverës.

Top Channel