Gjilan, Ymeri bën thirrje kundër Asosacionit të Komunave Serbe

21/08/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në ceremoninë e 10-vjetorit të themelimit të kësaj lëvizje në komunën e Gjilanit, u ka bërë thirrje banorëve të këtij qyteti që ta kundërshtojnë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Lëvizja në Gjilan ka 20 gushtin si datë të themelimit saj. Mirëpo, angazhimi politik i aktivistëve nëpër aksione të ndryshme politike ka ndodhur shumë para kësaj date, duke kundërshtuar kështu decentralizimin etnik që bëhej në përgjithësi në Kosovë, dhe në Anamoravë në veçanti. Pra, angazhimi politik i ka paraprirë organizatës. Decentralizimi që kundërshtonim që atëherë, është veç faza e parë e ‘Zajednicës’ që duan ta bëjnë tash. Është faza e parë e krijimit të këtij entiteti të pavarur brenda Kosovës, si Republika Serbe në Bosnje, që ia pamundëson shtetit të Kosovës kontrollin në një pjesë të territorit, si dhe ia pamundëson pavarësinë dhe zhvillimin”, ka thënë Ymeri gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve.

Ai në fund u bëri thirrje qytetarëve të Gjilanit që të bashkohen, dhe të angazhohen me gjithë potencialin në kundërshtim të projektit të “Zajednicës”, projekt ky që, sipas Ymerit, qëllim kryesor ka paralizimin e shtetit të Kosovës dhe rritjen e kontrollit të Serbisë brenda Kosovës.

Top Channel