Këshilli i Sigurimit të OKB-së, përplasje Thaçi-Daçiç

21/08/2015 00:00

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është shndërruar sërish në një arenë përplasjesh mes ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është një temë me të cilën Serbia nuk pajtohet, por ministri i Jashtëm Thaçi kujtoi se disa shtete në botë janë bërë anëtare të UNESCO-s pa qenë anëtare të OKB-së.

“Objektet e trashëgimisë kulturore janë më sigurta tani se sa gjatë 1000 vjetëve të shkuara. Kishat ortodokse serbe ruhen nga Polica e Kosovës”, tha Thaçi, duke shtuar se “lufta në Kosovë nuk ka qenë luftë fetare, por luftë të cilën e nisur Serbia, njëjtë siç e ka nisur edhe luftën me Kroacinë dhe Bosnjën”.
 
Shefi i diplomacisë kosovare foli edhe për angazhimin e Kosovës në luftën kundër estremizmit islamik, ndërsa i kujtoi Serbisë se në Kosovë gjatë luftës janë shkatërruar 300 objekte fetare, janë vrarë 15 mijë njerëz dhe mbi 1 milion shqiptarë janë dëbuar nga vendi.

“As ushtria, as policia, as administrata serbe kurrë më nuk do të kthehen në Kosovë”, tha ndër të tjera Thaçi.

Top Channel