Presidentja Jahjaga pret ambasadorin Delawie

21/08/2015 00:00

Ambasadori i ri amerikan Greg Delawie, kërkon nga institucionet e Kosovës që të fokusojnë punën e tyre në sundimin e rendit dhe ligjit, sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik.

Ai të premten zhvilloi takimet njohëse me autoritetet qendrore të Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeminsitrin Isa Mustafa.

Në një ceremoni solemne në Presidencën e Kosovës, ku u rreshtua garda e FSK-së, ambasadori Delawie i dorëzoi letrat e tij kredenciale.

“Unë kam besim të fortë që liderët e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë së bashku për sundimin e ligjit, për forcimin e sigurisë rajonale, për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe do të vazhdojnë punën për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë. Unë gjithashtu pres të takoj të rinjtë e Kosovës si dhe të njihem me sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova”, u shpreh ambasadori Delawie.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga siguroi ambasadorin amerikan se Kosova do të vazhdojë përpjekjet drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës me përspektivë për të gjithë qytetarët e saj.

“Kosova e ka dëshmuar që është shtet që i merr seriozisht të gjitha obligimet karshi partnerëve ndërkombëtarë, të cilët janë shumë të rëndësishëm në përballjen me sifdat globale”, u shpreh Presidentja Jahjaga.

Ndryshe nga temat politike, në këtë konferencë për media ku gazetarët nuk patën rastin të bëjnë pyetje, ambasadori amerikan tregoi për dëshirën që ai dhe familja e tij, të pranishëm në takim, kanë për t’i vizituar bukuritë natyrore të Kosovës.

“Bashkëshortja ime dhe dy fëmijët e mi janë të lumtur që kanë mundësi të shohin jo vetëm vendet historike e kulturore në Kosovë, por edhe të eksplorojmë bukuritë natyrore. Ne planifikojmë që t’i nisim shëtitjet duke filluar nga kjo fundjavë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Me të përfunduar takimi, ambasadori Delawie i shoqëruar nga Presidentja Jahjaga, ecën përgjatë sheshit “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ata bënë një ndalesë të parashikuar pranë tendave të kultivuesve të mjedrës, projekt ky i mbështetur nga USAID.

Top Channel