Axhenda e Konferencës së Vjenës. Liderët e Ballkanit, diskutime për ekonominë dhe sigurinë

21/08/2015 00:00

Një javë përpara mbajtjes së forumit të dytë në Vienë të vendeve ballkanike, Top Channel ka mundur të sigurojë axhendën finale të këtij forumi, i cili do të organizohet nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe asaj gjermane Merkel.

Në ditën e parë të Samitit, më 26 Gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.

Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës. Dita e parë e samit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij Arban Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia kryeministri Gruevski dhe Serbia kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.

Dita e dytë e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
Në orën 10:30, ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tre çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogun fetar, përfshi anti-ektremizmin.

Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner. Në përfundim të Samitit, kancelari austriak Faymann, kancelaria gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Top Channel