Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi në Facebook pas intervistës së kryeministrit Edi Rama për Top Channel, duke thënë se “vetëm një njeri që ka humbur çdo lidhje me realitetin ka kurajon që gropën 160 milionë dollarëshe në dogana dhe tatime ta quajë sukses të transformimit ekonomik”.

Kreu i opozitës rendit si krizë për vendin ekonominë e sëmurë, çmimin e lartë të naftës, shqiptarët që vazhdojnë të fitojnë gjithnjë e më pak, të humbin vendet e punës dhe të largohen si refugjatë drejt Europës. Por, në këtë situatë, sipas Lulzim Bashës, “Edi Rama krihet para pasqyrës së propagandës sepse nuk ka ndjeshmërinë më të vogël për njerëzit që nuk kanë punë dhe që largohen nga vendi për t’i shpëtuar varfërisë dhe mjerimit”.

“Nuk i kupton e as nuk do t’i kuptojë hallet e njerëzve; nuk i hyjnë në sy listat e shtuara në dyqane dhe sofrat e boshatisura të familjeve shqiptare. Sepse ai vetë është në krye të një sofre tjetër, bashkë me kontrabandistët e naftës dhe cigareve, bashkë me klanet kriminale të Bushëve dhe Roshëve me shokë”, thotë Lulzim Basha në postimin e tij në Facebook.

Kjo është arsyeja përse, sipas kreut të opozitës, kryeministri nuk ka “asnjë plan dhe asnjë zgjidhje, por vetëm kërbaç për të pamundurit, kulaç për klientelën dhe çorbën e prishur të propagandës që nuk ia gëlltit më askush”.

Top Channel