De Maiziere: Lëvizja e lirë në Shengen po rrezikohet

21/08/2015 00:00

“Zona Shengen po rrezikohet seriozisht nga azilkërkuesit”. Kjo është deklarata e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, gjatë një interviste për BBC.

Ai iu referua jo vetëm emigrantëve, por kryesisht personave që përdorin lëvizjen pa viza brenda zonës Shengen për të kërkuar azil.

“Nëse vendet e tjera evropiane nuk i përmbahen ligjit dhe sistemi i Dublinit nuk jep rezultate, atëherë ndoshta duhet një ligj i ri”, tha ministri.

“Nëse vazhdohet kësisoj, zona Shengen rrezikohet e ndaj kërkohet një zgjidhje më e gjerë evropiane. Gjermania e do Shengenin falë edhe pozicionit të saj në zemër të Evropës, por vendet e tjera anëtare duhet të bëjnë më tepër”, shtoi De Maiziere.

Komenti i tij vjen në një kohë kur një tjetër zyrtar i Komisionit Evropian, siç është Dimitris Avramopoulos, e quajti situatën aktuale krizën më të madhe të emigrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore. Por ndryshimi i politikës së lëvizjes së lirë do të kërkonte ndryshime radikale në traktatin evropian.

Zona e lëvizjes pa viza brenda kontinentit është quajtur Shengen dhe u themelua në vitin 1995, ndërkohë që vendi ynë u bë pjesë e saj në dhjetor 2010. Në të bëjnë pjesë 26 vende, kryesisht evropiane, të cilat kanë shkrirë kufijtë dhe kanë aplikuar ligje standarte për azilin.

Lëvizja pa viza i jep të drejtë çdo emigranti të kërkojë azil në një tjetër vend anëtar.

Top Channel