PD, Halimi: Reforma në drejtësi duhet të jetë tërësore dhe afatgjatë. Presidenti ka të drejtë

21/08/2015 00:00

Eduard Halimi, me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me reformën në drejtësi, të cilën e quajti “jetike për vendin dhe të ardhmen europiane”, theksoi se “vetëm një proces transparent, gjithëpërfshirës, bazuar në ekspertizën ndërkombëtare dhe i sinqertë, mund të prodhojë një reformë cilësore”.

Deputeti i Partisë Demokratike nënvizoi se Shqipërisë i duhet “një reformë me strategji tërësore, jo për 3 muaj, por afatgjatë, siç kërkohet nga BE-ja”.
“Sinqeriteti e ndihmon procesin dhe askush nuk duhet të ndihet i intimiduar prej tij. Ne duhet të jemi të vërtetë me shqiptarët dhe me partnerët ndërkombëtarë”, tha Halimi, i cili shtoi se “Presidenti i Republikës tha të vërtetën për ekspertët vendas, pasi të gjithë e dinë se ata kanë qenë funksionarë politikë të kohës së komunizmit dhe qeverive socialiste”.

“T’i thuash qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se këta janë specialistë të pavarur nuk e ndihmon procesin. Ndihmon partinë, por jo reformën; shpërblen shokët e miqtë e partisë dhe kryetarit, por jo drejtësinë”, u shpreh deputeti demokrat.

“Vetëm ekspertiza ndërkombëtare, ndihma e jashtëzakonshme e SHBA-së, BE-së, OSCE-së dhe vigjilenca e tyre do të garantojë procesin dhe qëllimin e pritshëm të tij”, theksoi Halimi.

Top Channel